Humbja në derbi dhe eliminimi nga Champions League i ka kushtuar shkarkimin trajnerit të Romës, Eusebio Di Francesco. Klubi kryeqytetas e falënderon trajnerin për punën e bërë në stolin verdhekuq dhe i uron suksese në të ardhmen.
“Nga ana ime dhe e gjithë klubit të Romës, dua ta falënderoj trajnerin Eusebio Di Francesco për impenjimin e tij maksimal”, – ka deklaruar presidenti i Romës, Palotta.
“Ai ka punuar gjithmonë me përkushtim dhe është sjellë si profesionist, duke vënë në vend të parë interesat e klubit dhe jo ata personalë. I urojmë më të mirën”, – ka vazhduar kreu i klubit roman.
Di Francesco, i cili si lojtar ka fituar një titull me Romën në vitin 2001, e kishte nisur aventurën si trajner i kësaj skuadre në verën e vitit 2017.
Claudio Ranieri është trajneri që pritet të zërë vendin e lënë bosh nga Di Francesco. Trajneri veteran italian e njeh ambientin, pasi ka punuar edhe më parë me këtë klub.
Ranieri u largua pak ditë më parë nga drejtimi i Fulham dhe tani është gati të nisë një aventurë të re në Serie A dhe me një klub prestigjioz si Roma.