E cilësuar si simbol i forcës dhe suksesit në art, me dekada jetë artistike, Roza Anagnosti është një nga ikonat e kinematografisë shqiptare.
Lindi më 27 tetor 1943 në Shkodër. Aktorja, me një repertor të ngjeshur dhe shumë të suksesshëm, e nisi rrugëtimin e saj artistik në skenën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, për tu bërë sot një nga emrat më të vlerësuar të artit dhe kulturës shqiptare.
Jeta e saj artistike ka qenë shumë aktive, si në film ashtu dhe në skenën teatrore ku ka dhënë një kontribut të çmuar. Vetëm 20 vjeç, hyri në kinematografi me rolin e mësueses në filmin “Detyrë e posaçme”. Një vit më pas luajti Filen në filmin “Toka jonë”. Realizimi i këtij filmi ishte një nga momentet më të rëndësishme në jetën e saj, pasi Roza dhe Dhimitri u dashuruan dhe më pas u martuan, për të vijuar jetën në Tiranë. Aktorja tregon se u njoh me Dhimitrin në këtë film dhe kjo e bën atë tepër të veçantë.
“Në këtë film Dhimitri ishte operator, dhe në këtë film ne u njohëm dhe në fund të tij u fejuam me Dhimitrin, ku më pas krijuam dhe familjen tonë. Është një film që ka shumë poezi në të gjithë drejtimet. Dhe për mua ai ishte një rol shumë i bukur, dhe më pëlqente shumë. Regjisori Hysen Hakani kishte shumë humor, ishte kërkues, kishte mënyrën e tij të punës” tregon aktorja.
Roza Anagnosti shpejt u bë një aktore shumë e kërkuar nga regjisorët. Për të filloi periudha më e shkëlqyer e karrierës, me role të shumta në Teatrin Kombëtar në Tiranës dhe në kinematografi.
Luajti mbi 20 filma dhe fitoi disa çmime të rëndësishme kombëtare. Çifti Anagnosti u shndërrua në simbol suksesi në art. Disa nga filmat më të suksesshëm janë “Plagë të vjetra” (Dh. Anagnosti, 1969), ”Fije që priten” (M. Fejzo, 1976), me të cilin fitoi Medalionin e Festivalit të vitit 1977, “Mësonjëtorja” (M. Fejzo, 1979) me të cilin u shpall aktorja më e mirë dhe fitoi Kupën e Festivalit më 1981. Me filmin “Rruga e lirisë” fitoi Medalionin e dytë.
Filmat e tjerë janë “Ndërgjegja” 1972, “Qyteti më i ri në botë” 1974, “Në shtëpinë tonë” 1979, “Dita e parë e emërimit” 1981, “Besa e kuqe” 1982, “Taulanti kërkon një motër” 1984, “Pranverë e hidhur” 1985, “Botë e padukshme” 1987, “Familja ime” 1987, “Vrasje në gjueti” 1987, “Rikonstruksioni” 1988, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” 1989, “Vetmi” 1990.
Përveç shumë vlerësimeve e çmimeve për karrierën, Roza Anagnosti mban titullin “Artiste e Merituar” dhe “Mjeshtre e Madhe e Punës”.
Filmografia
Gjoleka, djali i Abazit (2006)
Valsi i Titanikut (1990) teatër-komedi
Vetmi (1990) , Bardha
Kthimi i Ushtrisë së Vdekur (1989)
Rikonstruksioni (1988) (TV)
Botë e padukshme (1987)…..doktoreshë Besmira
Familja ime (1987)
Vrasje në gjueti (1987)
Gurët e shtëpisë sime (1985)
Taulanti kërkon një motër (1984), Luli
Besa e kuqe (1982) – Mrika
Rruga e lirisë (1982)
Dita e parë e emrimit (1981)
Mësonjtorja (1979) – Dafina
Në shtëpinë tonë (1979)
Fije që priten (1976)
Qyteti më i ri në botë (1974)
Ndërgjegja (1972) – Arta
Plagë të vjetra (1968) – Vera
Komisari i dritës (1966) – Rudina
Toka jonë (1964) – Filja
Detyrë e posaçme (1963)
Me kalimin e viteve, Roza Anagnosti do të ngelet ikonë e kinematografisë dhe simbol i bukurisë që nuk njeh moshë.