MENU

Shifrat

Rriten shitjet me pakicë në 2018

13.03.2019 - 14:42

Bazuar në disa të dhëna të Institutit të Statistikave, vihet re se shitjet me pakicë në Shqipëri kanë pësuar një rritje në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.

Sipas INSTAT, indeksi i shitjeve me pakicë është rritur me 3.2% krahasuar me 1 vit më parë.

Ato regjistruan sërish një rritje të lartë, me 5.2% më shumë krahasuar një vit më parë. Duke përjashtuar hidrokarburet, indeksi i shitjeve në tregtinë me pakicë u rrit me 2.7%, nga 3.1% që kishte qenë rritja në tremujorin e tretë.

Ndryshe nga tremujori i tretë, ku rritja e tregtisë me pakicë erdhi sidomos nga produktet ushqimore, në tremujorin e katërt rritja e shitjeve ishte më e ekuilibruar.

Përkatësisht, shitjet e produkteve ushqimore u rritën me 2.7%, ndërsa ato jo ushqimore me 2.4%.

Ngadalësimi i shitjeve me pakicë dhe në veçanti ulja e kontributit të shitjeve të produkteve ushqimore tregon se ndoshta në tremujorin e tretë rritja e tregtisë me pakicë ishte ndikuar shumë nga sezoni turistik.

Shitjet me pakicë janë ndër treguesit kryesorë të tërthortë të ecurisë së konsumit privat në ekonomi. Konsumi është shtylla kryesore e rritjes së ekonomisë shqiptare, me mbi 80% të kontributit total.

Rritja e shitjeve me pakicë tregon një tendencë në përmirësim të konsumit privat, i mbështetur nga ulja e papunësisë, rritja e besimit konsumator dhe zgjerimi i kredisë për këtë qëllim.