MENU
klinika

Kriza politike

Ruçi thumbon opozitën: Partizanët ranë në emër të ‘mandatit’

29.03.2019 - 14:03

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi i pranishëm sot në Patos në ceremoninë e 75 vjetorit të betejës së Margëlliçit, ka komentuar situatën  politike në vend. Në fjalën e tij Ruçi, u ndal gjerë e gjatë te koha e luftës së LANC, ndërsa nuk kurseu paralelizmat me situatën politike të vendit. Ruçi thumboi opozitën për braktisjen e mandateve, duke u ndalur te partizanët dhe rënia e tyre gjatë luftës.

“Të jesh sot antifashist dhe europian, do të thotë të punosh natë e ditë për integrimin europian të Shqipërisë dhe luftën për pushtet ta vesh në shërbim të ndërtimit të shtetit dhe jo anasjelltas; tí përkushtohesh e nështrohesh verdiktit të votuesve dhe të mos braktisësh pozicionin ku të ka vendosur vota e popullit.

Unë e njoh mirë historinë e Luftës Nacional-Çlirimtare.  Prej saj kam mësuar se mjaft komandantë të njësive partizane nuk arritën të merrnin  detyrën sepse ranë në betejë para se tu vinte njoftimi i emërimit prej korrierit partizan. Ata ranë në emër të “mandatit” që i kishin caktuar vetes, si partizanë e çlirimtarë.

Sa jetike është për demokracinë dhe për Shqipërinë respektimi dhe sa shkatërruese është braktisja e mandateve të popullit. Ky është mësimi që vjen nga shqiptarët antifashistë, ky është mësimi që vjen nga demokratët e vërtetë të çdo kohe.”- u shpreh Ruçi.