Iniciativa e Emmanuel Macron për mijëra mbledhje bëri që sondazhet e opinionit të favorizonin përsëri presidentin. Por ajo që vjen pas “debatit të madh”, pas protestave të “Jelekverdhëve” është tërësisht e paqartë.
Debati përfundoi, por sfida e vërtetë nis tani.
Për presidentin Emmanuel Macron, i cili nisi të ashtuquajturin ‘debat të madh’ në mes të janarit, reagimet e menjëhershme kanë qenë kryesisht pozitive. Deri në gjysmë milioni francez morën pjesë në 10,000 takime në mbarë vendin për të diskutuar tema të paracaktuara, që nga taksat dhe shërbimet pubike deri tek demokracia dhe mjedisi. Organizatorët gjithashtu morën më shumë se 1.4 milion komente publike në internet, duke përshkruar çështje të tjera shqetësuese, përfshirë vendet e punës dhe emigracionin.
“Problemet fillojnë tani” tha analisti Jean Petaux i Universitetit Science-Po Bordeaux për Deutsche Welle.
Deri më tani, presidenti francez ka dhënë pak indikacione për strategjinë e tij afatgjatë. Disa besojnë se ai ende nuk e ka një të tillë.
Për momentin, Macron dhe qeveria e tij kanë një hapësirë frymëmarrjeje, para se të fillojnë “faza e dytë” të debatit që nisnë prill.
Sondazhet tregojnë se pjesa më e madhe e francezëve i kanë pëlqyer debatet kombëtare. Më shumë se tetë në 10 të anketuar thanë se takimet i dhanë qytetarëve një mundësi për të shprehur veten.
Për momentin, “jelekverdhët” janë prioritet në axhendën reformatore të Macron. Presidenti francez mori një hap fillestar duke shfuqizuar rritjen e taksave. Pastaj në dhjetor, ai shkoi më tej, duke njoftuar 10 miliardë dollarë ndihmë për më të prekurit. “Jelekverdhët” nuk u mjaftuan me kaq por nisën thirrjen më ekstreme për dorëheqjen e Macron.
Kundërshtarët politikë të udhëheqësit francez, thonë se po e përdor të gjithën këtë me qëllim përpara zgjedhjeve të majit të Parlamentit Evropian. Dhe, me të vërtetë, sondazhet tregojnë se partia e tij po ecën vërtet mirë.
Por Bernard Reber, i cili studjon qytetarinë pjesëmarrëse në Qendrën Kombëtare të Kërkimit Shkencor me qendër në Paris, tha se debatet nuk duhet të nënvlerësohen. “Ka qenë i pashembullt në çdo kuptim”, tha Reber, i cili mori pjesë në rreth 30 takime.
“Njerëzit mobilizuan dhe qëndruan për një kohë të gjatë. Nuk di shumë vende në botë që u lejojnë qytetarëve të marrin pjesë në debate me orë të tëra” tha ai.
“Njerëzit po mësojnë se politika dhe ndryshimi i një sistemi është një proces shumë i vështirë,” shtoi Reber.
Hapat e ardhshëm për “jelekverdhët” janë gjithashtu të paqarta. Një numër analistësh besojnë se lëvizja ngadalë do të zhduket.
Disa prej tyre ka të ngjarë të vazhdojnë protestat, ndërsa një grup tjetër do të absorbohet në partitë politike ekzistuese,kryesisht në të djathtën ekstreme dhe në të majtën.
Një e treta “do të rigjallërojë nostalgjinë e Republikës së rrethrrotullimeve”, tha ai, duke kujtuar solidaritetin dhe miqësitë e krijuara gjatë protestave.