MENU
klinika

Lamtumirë, Harallamb Boshku

Shah për herë të fundit

05.03.2019 - 16:19

Lajmet e dhimbshme, kur vijnë papritur, marrin fuqinë e dyfishtë të trishtimit. Jeta jonë e përditshme, është formatuar në një lloj rutine, që në fund të fundit na josh me atë monotoninë e saj. Edhe kur na pyesin :”Hë, çkemi ndonjë gjë”? I përgjigjemi shkurt dhe pa ndonjë emocion :”Asgjë, si përditë!

Por ja që këtë det të qetë e gri, në dukje të monotonisë tonë perfekte, vijnë e na e prishin me një ngarkesë ta pazakontë emocionale dhe shpirtërore, lajme të tilla si:
-Vdiq Harallamb Boshku! Nuk jeton më! Është ndarë nga ne! Nuk është më pjesë e jona!
Nuk mundesh më të marrësh ndonjë hollësi, pasi ngashërehesh, drobitesh dhe sulesh në krahët e vetmisë së çastit.

-Të mos më flasë njeri, thërras fuqishëm brenda vetes, duke qenë i bindur se nuk kam lënë nam në opinion, pasi luksi i monotonisë më është prishur.
Jetojmë në moshën që hasim probleme me kujtesën, por ajo si padashur kthjellohet dhe më përmënd një fakt tjetër të dhimbshëm, që lidhet me këtë të sotmin. Koiçidenca vërtet është e paimagjinueshme.

Me 6 mars 2014, nga Athina vjen haberi keqas i trishtë. Ndahet nga jeta Mihallaq Boshku, vëllai i madh i Llambit. Dhe gati, gati në një lëvizje milimetrike, pas pesë vitesh dhe në të njëjtën kohë, nga fisi i njohur i Boshkëve, vjen e humbet jetën miku ynë i mirë, shoku ynë nga më të veçantë, i urti, i heshturi, qytetari, intelektuali, e një shahist i nivelit të nderuar Harallamb (Llambi) Boshku.

Në shah lindi dhe mbi shah dha shpirt

Lindi në vitin 1953 dhe fryma e fundit jepet me 3 mars 2019.
Inventari i jetës së tij, mbyll faqen e fundit 66 vjeç. Mjek nga profesioni, por në jetë mori masterin si askush NJERI. Kosta Boshku, themeluesi i familjes së njohur qytetare Boshku, luante shah mjaft mirë, duke ia rrënjosur të tre djemve Llaqit tonë të shkëlqyer, Miltos dhe më të voglit Llambit.

Më parë Milto dhe më pas Llambi ynë, ndodhi që të profilozohen në mjeshtrinë e skakjerës së shahut. Por çfarë të luajture?! Sekonda, minuta, orë, ditë, javë, muaj dhe vite mbi skakjerë. Jeta e Llambi ishte shahu. Aty lindi dhe aty sosi frymën e fundit.

Dhimbja është e madhe dhe na mbulon plotësisht. Madje janë humbje që nuk të besohet, apo do kohë që të mësohesh, se kanë ndodhur me të vërtetë. Llambi Bashku edhe në jetë, ishte akomoduar me qetësinë e një shahisti. Edhe kur ecte, të dukej sikur mendonte lëvizjen e rradhës.
Shahu dhe Llambi Boshku! Binom i përjetshëm. Dhe ky binom ishte aktiv, deri në pranverën e fundit të Llambit, këtij kalorësi të shahut, më parë të atij durrsak, e më tej të atij kombëtar.

3 mars 2019. Në kryeqytetin kosovar, Prishtinë, në një veprimtari ndërkombëtare shahu, është pjestar edhe durrsaku ynë Llambi Boshku. I sapo dalë në pension, miku i vjetër – shahu, do ta shoqëronte edhe më shumë sa më parë. Teksa luante në një nga ndeshjet e turneut, i thotë të birit, Kostandinit:
-Kosta nuk po ndjej veten mirë. Më merren mënd bir, më vjen…
-Lërë baba lojën, largohemi!

Turneu mban frymën. Ardhja e mjekëve ishte e padobishme. Një infarkt akut i miokardit, e ka goditur fuqishëm Llambin tonë dhe si një rrufe vdekjeprurëse, ia ndërpret atë kënaqësi të lindur të shahut. Koka i zbret butë mbi skakjerë dhe fryma e fundit, për herë të fundit ngrohu gurët e akullt të shahut.

Ndodh një rast shumë i rrallë, mbase i rrallë i vetëm, që një shahist të mbarojë ja kështu mbi tabelën e shahut. Të duket si një vazhdim i përjetshëm.

Në brezin historik të shahut durrsak, Harallamb Boshku! Mjeshtër i FIDES, me shkallë Elo 2280. Shahist i përfaqësueses shqiptare, por më parë se këtu, i renditur në brezin historik dhe të famshëm të shahut durrsak, të kryesuar nga legjendari Fatos Muço.

Vitet 70-80 janë dominuar plotësisht nga durrsakët, me përbërje të tillë si Fatos Muço, Erald Dervishi, Altin Çela, Harallamb Boshku, Kozma Nasto, Hamza Xhakoni, Lorenc Rama, Eqerem Nurçe, e shumë e shumë të tjerë. Një shkollë më vete kjo e durrsakëve në shah, një traditë e shkëlqyer, ku padyshim Llambi Boshku, mban peshë të rëndësishme të saj.

Boshkun e takoja shpesh. Brenda tij jetonte si në lindje, pasioni i pazakontë për shahun, këtë sport të gjimnastikës së mëndjes. Shahist, trajner, organizator i të gjitha veprimtarive të shahut në Durrës. Një njeriu që i detyrohemi shumë, për atë çka dha dhe për atë që smori.
Cigaren nuk e ndante as nga duart dhe as nga buzët, teksa tymi i krijuar nga djegia i katranit, mbulonte mendimet e fshehura të tij, për ti derdhur më pas në skakjerë.

Ashtu sikundër pesë vite të shkuara u ndamë me Mihallaq Boshkun, këtë zotni të shkencës pedagogjike, tani dhe lamtumira për vëllain e tij të vogël, e mjeshtrin e madh të skakjerës, të mirin dhe të ëmblin njeri Llambi Boshku.

Kjo ishte dhe pranvera e fundit i Harallamb Boshkut, për të qenë njëkohësisht edhe pranvera e parë e nisjes së paharresës.

 

Nga: BUJAR QESJA