MENU
klinika

Kategoria Superiore, Java 24

Shtylla, tym dhe kartonë, por derbi pa fitues

01.03.2019 - 19:59

Derbi thuajse i ka pasur të gjitha. Traversë për Tiranën, shtyllë për Partizani, kartonë të verdhë, tymuese në fushë, lojtar i dëmtuar që përfundon në spital, stadium plot me tifozë, por derbi mbaron 0-0.

Një barazim që duket më mirë për Partizanin, që merr një pikë në luftën për titull, duke parë se ishte udhëtues. Ndërsa Tirana mbetet 5 vjet që nuk fiton në derbi dhe duhet të presë fazën e katërt për të thyer ndoshta mallkimin.

Tifozët kanë dhuruar spektakël, madje nga tymueset është ndërprerë ndeshja në pjesën e dytë. Bardheblutë kanë dominuar takimin, sidomos në pjesën e parë, ku ka pasur edhe një traversë nga ana e Ngoo, por jo gol.

Në pjesën e dytë sfida ka qenë më e barabartë, ndërsa Idrizaj i Partizanit është dëmtuar rëndë dhe ka ikur me ambulancë në spital.

Derbi është gjykuar nga 6 arbitra, ku për herë të parë ka gjykuar edhe një femër, Emanuela Rusta. Pavarësisht sendeve të hedhura në fushën e lojës, nuk ka pasur të lënduar.

Pavarësisht rezultatit 0-0, derbi ka dhuruar emocionet e veta. Një gol mund të kishte ndezur edhe më shumë atmosferën, por kësaj here nuk ishte e thënë të shënohet.

TIRANA – PARTIZANI  0-0

Tirana: Abibi – Kërçiku, Turtulli, Imami, Hoxhallari – Mauexhe, Karabeci, Hasani – Kobina (Doka 73′), Greca, Ngo. Trajner: Ardian Mema

Partizani: Hoxha – Ibrahimi, Atanda, Belica, Idrizaj – Telushi, Mala – Asani, Duka (Rexhepi 46′), Mensah (Hebaj 68′) – Bardhi. Trajner: Skënder Gega

Gjyqtarë: Enea Jorgji, Dojando Myftari, Nertil Bregasi, Astrit Mahmuti;

Gjyqtar–ë/e linje: Juxhin Xhaja, Emanuela Rusta

Kartonë të verdhë: Hoxhallari 46’, Turtulli 51′, Ngo 66′ / Rexhepi 91’

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN