MENU
klinika

Ringjallen Monet, Van Gogh e Klimt

Si u grabit ‘Isabella Stewart Gardner’

18.03.2019 - 12:52

Grabitja më e madhe e veprave të artit në muzeun “Isabella Stewart Gardner” në Boston, daton më 18 mars të vitit 1990. Nga muzeu u zhdukën 13 punime, me vlerë mbi 500 milionë dollarë.
Përmes teknologjisë së fundit dhe analizave të forenzikës, artistët kanë rikrijuar një seri të kryeveprave të humbura, përfshirë “Water Lilies” të Monet dhe “Sunflowers” të Van Gogh.

Rikrijimet janë realizuar nga “Factum Arte”, një grup artistësh dhe teknikësh, projektet e të cilëve përfshijnë edhe një riprodhim shtesë të dhomës së varrimit të Tutankhamunit. “The Concert”, vepër e Vermeer e punuar në shekullin XVII, e cila ishte vjedhur në vitin 1990 në atë që njihet si plaçkitja më e madhe e artit në kohët moderne, po ashtu është rikrijuar, bashkë me portretin e vitit 1954 të Winston Churchillit, punuar nga Graham Sutherlans, që gruaja e liderit, Clementine, e shkatërroi në kohën e luftës.

“Factum Arte” përdor skanerë 3D, që në fillim ishin zhvilluar për qëllime mjekësore. Ata përdoren për të incizuar sipërfaqen e pikturës apo të një objekti deri në detajin më të vogël, shenjat e brushës apo edhe plasaritja. Detekton detaje që nuk mund të shihen me sy dhe incizon sipërfaqen, por jo edhe ngjyrën.

“Duke e larguar ngjyrën nga sipërfaqja, gjërat mund t’i shohësh tërësisht ndryshe”, ka thënë Adam Lowe, drejtori dhe themeluesi i “Factum Arte”. Pajisje të tjera përfshijnë skanerë 3D deri në formën e incizimit. Vepra “Water Lilies” nga Monet ka qëndruar e varur në murin e Muzeut të Artit Modern në New York deri në vitin 1958, kur u përfshi nga një zjarr i përmasave katastrofike. Me gjithë dëmin e madh të tymit, analizat e forenzikës nxorën detaje të rëndësishme për ngjyrat dhe sipërfaqen e pikturës, duke mundësuar që të bëhet rikrijimi i pasqyrimit të lëvizjeve të dritës në ujë.

“Është mahnitëse”, ka thënë Lowe. “Mendoj se Monet, do të besonte se kjo është piktura e tij”, – ka shtuar ai.

Piktura “Sunflowers” e Van Gogh, ka qenë një prej shtatë pikturave të realizuara në vitin 1888 dhe ishte blerë nga një koleksionues japonez. Por, ishte shkatërruar gjatë bombardimit të ShBA-së, që i bëri qytetit të Ashiya, në vitin 1945.

Galeria Kombëtare i ka lejuar ekipit të Lowe që të skanojë pikturën “Sunflowers”, duke ua mundësuar atyre që të rindërtojnë lëvizjet e brushës së artistit në pikturë me shpejtësi.

“Kemi pasur një fotografi me ngjyra jo të mira dhe disa materiale të tjera si referencë, por kemi qenë në gjendje që të identifikojmë pozitën e lëvizjes së brushës dhe shtrembërimit të saj që i ka bërë Galeria Kombëtare për ta përshtatur atë me pikturën e humbur. Ne jemi mbështetur në dijeninë e Van Goghut dhe pikturat që ai i kishte bërë në atë kohë, për të marrë ngjyrat e duhura. Van Gogh do të ishte shumë i lumtur”, – ka thënë Lowe. Ai është i kënaqur veçanërisht me rikrijimin e Vermeerit, pasi që origjinali një ditë mund të dalë në sipërfaqe.

“Shpresoj se do të jemi në gjendje të shohim se sa afër ishte ‘performanca’ jonë”, – ka thënë ai.

“The Concert” kryeson listën e pikturave më të kërkuara në botë. Me vlerë prej 200 milionë dollarësh ka qenë në mesin e 13 veprave të vjedhura nga “Isabella Stewart Gardner Museum” në qytetin Boston në ShBA. Duke u mbështetur në disa fotografi me kualitet të dobët, ekipi ka qenë në gjendje që të skanojë veprën e Vermeerit prej periudhës së njëjtë në “Royal Collection”.

Portreti i Churchill-it ishte kërkuar që të realizohej nga parlamenti për ditëlindjen e tij të 80-të, por ai e urrente, sepse mendonte se aty dukej si gjysmak. Prandaj Klementina e kishte djegur pikturën, veprim që Sutherland e kishte konsideruar si “akt vandalizmi”.

“Do të ishin tmerruar, do t’u dukej sikur është ngritur nga varri. Ata kanë bërë gabim që e kanë shkatërruar. Nuk ka qenë pronë e tyre, që ta shkatërrojnë. Ka qenë e pikturuar për t’u varur në muret e parlamentit. Është portret shumë i fuqishëm dhe i butë në të njëjtën kohë”, – ka thënë Loëe, – teksa ka shpjeguar sesi do të ndihej familja Churchill-it sikur ta shihte rikrijimin.

Replika është bërë e mundur pjesërisht përmes fotografisë me rezolucion të lartë, e papublikuar më parë. Ishte realizuar nga Larry Burrows, fotografi i mrekullueshëm i luftës.

“Burrows e ndoqi Churchill-in dhe ka bërë një fotografi të mirë të pikturës. Nuk është parë deri më tani”, – ka thënë Lowe.

Rikrijime të tjera përfshijnë “Allegory of Medicine” të Klimtit, që ishte marrë nga nazistët dhe ishte dërguar në një kështjellë austriake në vitin 1945, kohë ku kështjella u shkatërrua, pas tërheqjes së njësitit të nazistëve dhe bashkë me të edhe piktura e artistit të mirënjohur.

“Është rrëfim tejet dramatik”, – e ka cilësuar Lowe. Me përdorimin e një fotografie bardhezi dhe detaje të tjera mbi ngjyrat, ekipi i tij e rikrijuan tërë veprën.

“Historitë sesi kryevepra të këtyre përmasave kanë humbur, janë grabitur apo shkatërruar, janë më interesante se serialet me detektivë. Procesi i rikthimit të tyre në identitet është njëfarë marrëdhënieje intime mes veprave dhe punës së artistëve”, – ka thënë Edgar Jones.