Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë Luigi Soreca ka folur nga Shkodra për situatën politike. Ai ka kritikuar opozitën që nuk ka tërheqje dhe ka deklaruar se i është kërkuar maxhorancës të dialogojë.
Por ambasadori Soreca theksoi se nëse nuk zgjidhet ngërçi rrezikohet integrimi i Shqipërisë në BE.
Gjithashtu ai dënoi deklaratat që nxisin dhunë dhe kërkoi që protestat të jenë paqësore.
“Unioni europian është shumë i qartë gjatë 2 javëve të fundit ndaj situatës në Shqipëri.
E drejta për të protestuar është për të gjithë dhe ne mbështesim të gjithë ata që protestojnë. Por kjo gjë duhet të jetë e paqme dhe pa nxitje për dhunë. Nxitja për dhunë është e pafalshme dhe ne
presim që protestat në vijim të jenë pa nxitje dhune.
Situata është e paprecedentë, kemi folur me të dyja palët. Jemi takuar me qeverinë si dhe opozitën. Opozita po mban qëndrim pa u kthyer pas dhe kjo është për të ardhur keq. Ia kemi thënë disa herë këtë gjë por pa sukses.
Kjo ndikon në integrimin e Shqipërisë. Ne kemi kërkuar dialog dhe jemi të paanshëm. Ne i kemi kërkuar qeverisë që të dialogojnë.
I bëjmë thirrje të gjithë politikanëve të Shqipërisë që të mbajnë anën e qytetarëve.
BE mbështet interesat e qytetarëve të Shqipërisë. Situata në vend minon këtë dëshirë të 93 % të qytetarëve shqiptarë për integrim dhe është anëtarësimi në BE qëllimi jonë ndaj Shqipërisë. Në rast moszgjidhje të këtij ngërçi, integrimi i Shqipërisë është në rrezik”, ka thënë Soreca.
Ai iu ka bërë thirrje institucioneve të ndërmarrin veprime për situatën.
“Ftoj institucionet të luajnë rolin e tyre në demokraci, të kujdesen për interesat e banorëve. I bëjmë thirrje të gjitha palëve të marrin pjesë në zgjedhjet vendore si e vetmja mënyrë demokratike”, u shpreh ambasadori i BE.
Më tej duke folur për barazinë gjinore në ditën e gruas, Soreca tha se të drejtat e grave duhen respektuar.
“Mesazhi i sotëm është që ne lindim me të njëjtat të drejta dhe këto të drejta duhen respektuar nga të gjithë. Barazia gjinore është e drejtë e rëndësishme sa i takon marrëdhënies së Shqipërisë me BE”, u shpreh Soreca.