Seanca e radhës për ish-ministrin Saimir Tahiri pritet të zhvillohet gjatë ditë së sotme.
Kujtojmë që në paraqitjen e fundit, avokati Maks Haxhia deklaroi për mediat se mund të kërkonin gjykim të shkurtuar.
Shqyrtimi i hetimeve të Prokurorisë do të bëhet sot më 26 mars, pasi seancen e shkuar nuk ishin njoftuar 3 të hetuarit e tjerë, ish-policët Jaeld Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode, që ndodhen në arrati prej më shumë se një viti.
“Është shtyrë seanca sepse organi i Prokurorisë, nëpërmjet oficerëve të Policisë Gjyqësore duhet të kishte bërë lajmërimin e të hetuarve dhe nuk e ka bërë. Gjë, që nuk është serioze për një organ të tillë, që është i mobilizuar dhe për më tepër, këtë çështje kaq serioze. Ata janë në kërkim, por ka edhe procedura lajmërimi.
Nëse do vazhdojë kështu kalvari i zgjatjeve, do të detyrohemi ta bëjmë kërkesën me gjykim të shkurtuar. Gjithë materiali që ne kemi parë në 57 kapituj, në fashikujt e dosjeve në ngarkim të Tahirit dhe të tjerëve nuk ka asnjë provë që të implikojë Tahirin, që të çojë në ngritjen dhe bazueshmërinë e akuzave, për të cilat ai është sjellë për gjykim.
Nuk ka letërporosi, ishte abuzim dhe keqdashje në çështjen ‘Tahiri’ nga analistë të qëllimshëm dhe të pozicionuar. Nuk ka 8, por 2 letërporosi që nuk kanë të bëjnë me akuzat”, përfundoi Maksim Haxhia.