Gjykata e Strasburgut shpalli vendimin, duke pranuar marrëveshjen mes 4 familjarëve të protestuesve të vrarë më 21 Janar dhe qeverisë shqiptare, e cila ka marrë përsipër që të rihapë hetimet.
“Paraprakisht ka marrë përsipër të thotë që hetimi dhe gjykimi në këtë çështje nuk është bërë në përputhje me standardet e Konventës. Si rezultat ka marrë përsipër të paguajë një dëmshpërblim shtesë për këto familje, e gjithashtu ka marrë përsipër të rihapë çështjen e 21 Janarit, për t’i dhënë mundësinë edhe familjarëve që të marrin pjesë në gjykim”, tha Dorian Matlia, avokat i familjarëve.
Po me marrëveshje me shtetin shqiptar është zgjidhur në Strasburg edhe padia e disa prej familjarëve të protestuesit të vrarë, Hekuran Deda. Megjithatë, për këtë rast, hetimet prej më shumë se një viti nuk janë hapur ende.
Qeveria shqiptare iu kishte dhënë fjalën familjarëve të demonstruesit të vrarë, Hekuran Deda, duke nënshkruar një marrëveshje. Një marrëveshje e cila u konfirmua nga Gjykata e Strasburgut për të rihapur hetimet për 21 Janarin. Në këtë mënyrë, familjari i Hekuran Dedës, i vëllai Zabit Deda iu drejtua Gjykatës së Tiranës duke kërkuar rihapjen e hetimeve, por ai humbi.
“Është paraqitur një ankim në Gjykatën e Apelit, e cila është ende në proces shqyrtimi dhe nuk është dhënë një përgjigje nga kjo gjykatë. Por kaq! Deri tani, vetëm familjarët kanë bërë veprime, jo organet shtetërore. Unë pres që të paktën me kalimin e pak kohe të bind autoritetet e huaja, komitetin e ministrave, e më tej edhe Gjykatën Europiane që çështjen të vazhdojnë ta zgjidhin ata, sepse ne në Shqipëri nuk paskemi mundësi t’i zgjidhim”, shtoi Matlia.
Nga ana tjetër, Gjykata e Strasburgut sipas T.CH nuk është shprehur ende për padinë e familjarëve të Aleks Nikës, vrasja e të cilit nuk ka autor, sikurse edhe e Hekuran Dedës.
Për protestën e 21 Janarit janë dënuar nën akuzën e “vrasjes nga pakujdesia” Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa të afërmit e tyre prej 10 vitesh vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.