Tahar Ben Jelloun është një nga shkrimtarët bashkëkohorë më të famshëm francezë. Shkrimtar, poet, eseist dhe piktor frankomaroken, librat e të cilit janë përkthyer në mbarë botën. Pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij është shkruar në gjuhën frënge, edhe pse gjuha e parë e shkrimtarit është arabishtja. Së fundmi, ka botuar edhe romanin e tij të ri “Pagjumësia”. Jeton në Francë dhe është kandiduar disa herë për çmimin Nobel.
Shkrimtari i lindur në vitin 1947 në Fes, Marok, i cili është vlerësuar me çmimin “Goncourt” për romanin “Nata e shenjtë” (“La nuit sacrée) në vitin 1987, libri i parë arab nderuar aq shumë, karakterizohet për stilin e tij të zhdërvjellët dhe të bukur. Çmimi ndryshoi rrjedhën e jetës së këtij njeriu të dashuruar pas fjalëve, i lindur në një familje tradicionale myslimane dhe rritur me ëndrrën fëmijërore që të luante me të shkruarin. Një fëmijëri e thjeshtë, por e lumtur: “Ne ishim shumë të varfër, por nuk vuanim nga asgjë. Nuk kishim zili askënd, nuk na mungonte asgjë, mbase kjo më ndihmoi të bëhesha ky që jam sot”, – shprehet autori.
Në vitin 1965, në kohën kur Tahar Ben Jelloun ndiqte studimet për filozofi mori pjesë në demonstratat studentore kundër “akteve represive dhe të dhunës” të policisë marokene në Rabat. Pjesëmarrja në rebelim do t’i kushtonte shtrenjtë, pasi e arrestuan dhe e dërguan në një kamp disiplinor ushtarak së bashku me 94 studentë të tjerë, të dyshuar si armiq të regjimit të mbretit Hasan II.
Pikërisht atje do merrte penën në dorë për të parën herë, për t’i vënë fjalët në një realitet ndonjëherë të vështirë dhe të padrejtë: “Kur je 20 vjeç dhe e gjen veten në burg, kjo është e tmerrshme. Një gjë e tillë më dha informacionin e nevojshëm të kuptoja se çfarë është njeriu. Ne u dënuam padrejtësisht. vetëm sepse manifestuam. Kjo është e gjitha”.
Maroku, vendi i origjinës, vendi i fëmijërisë, sikundër edhe i kujtimeve. Ai e do atdheun e vet dhe për këtë arsye nuk ngurron ta trajtojë gjendjen aktuale me një shqetësim të madh: “Maroku është vendi im, shpresa ime, hera-herës dobësia ime dhe hera-herës trishtimi im. Më pëlqen të dalë nga pak lot arab, sepse bota arabe ndodhet në një tragjedi të atillë…”.
“Mësimin më të mirë që kam marrë nga fëmijëria është se feja nuk është vetëm folklori që shohim rreth saj, përkundrazi janë vlerat e respektit për të tjerët”.
Tek shkrimtari të bien në sy vlerat që ai mbart. Edukimi i përçuar përmes prindërve ka qenë vendimtar në evolucionin dhe në këtë nevojë të përhershme për të transmetuar, për t’i thënë gjërat sa më saktë që të jetë e mundur.
Edhe pse një familje e varfër, ajo ishte me një vështrim drejt harmonisë dhe thjeshtësisë: “Ata më kanë transmetuar vlerat e respektit, të ndershmërisë, të mos vidhja, të mos gënjeja, të bëja sa më shumë mirë që të ishte e mundur”.
Në ditët e sotme, sinqeriteti me të cilin ai shkruan përballet me kërcënime të dhunshme të pashembullta, por Tahar Ben Jelloun mbetet i palëkundur. “Unë kam armiq të fortë në mesin e islamistëve, nuk i kushtoj rëndësi këtij fakti, sepse nuk dua të bie pre e gjendjes ku do më duhet të jetoj nën kërcënim. Thjesht e shpërfill”.
Ka shkruar veprat “Fëmija i rërës”, “Nata e mëkatit”, “Me sytë ulur”, “Mungesa verbuese e dritës” etj.
Në vitin 2008 është nderuar me çmimin “Legjioni i Nderit” (“Grand Officier”), në vitin 2005 me çmimin “Uliks”, me çmimin prestigjioz të letërsisë “Impac” në vitin 2004, me çmimin “Argana” në Marok, çmimin “Erich-Maria Remarque” më 2011 etj.
“Unë punoj në mëngjes. Nuk dal kurrë në mëngjes. Ulem në tryezën e punës dhe nuk luaj më vendit”, – tregon Jelloun.
Tahar Ben Jelloun shkëlqen me rrëfimin e tij tejet të thjeshtë dhe filozofik njëherësh.