MENU
klinika

Replikat me Edi Ramën

Takimi Qeveri-FSHF, çfarë thanë presidentët

11.03.2019 - 15:11

Në tryezën e organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit me Kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësues të Qeverisë, të pranishëm ishin edhe presidentët e klubeve të futbollit dhe drejtuesit e tyre.

Pati edhe një replikë me presidentin e Skënderbeut, Ardjan Takaj, në lidhje me të gjitha ato që u folën në këtë mbledhje, ku ndërhyri edhe vetë Edi Rama.

Takaj pretendon se nga e gjithë kjo bisedë nuk u dha një zgjidhje konkrete, për këtë pati edhe një kundërshtim në lidhje me planet e kreut të Qeverisë.

TAKAJ-RAMA

Takaj: A mund të na japë një datë kryeministri për të gjitha këto që u folën? Shumë u folën, por do jetë e rëndësishme që të mos kalojë si një bisedë kafeneje, por ta kthejmë në një çështje shumë serioze për sportin shqiptar. 

Pjesa që folët ju për domatet, është e vërtetë, sepse futbolli shqiptar është në një krizë shumë të madhe financiare. Nuk do ishin këta aktorë të futbollit nëse këtu do të kishte përfitime shumë të mëdha, besoj se në këtë tavolinë do shikoje fytyra të tjera, prandaj unë doja një datë që të flasim për këtë çështje serioze.

Rama: Pas vitit të Skënderbeut këta duan data se 550 vjetorin e kaluan.

Takaj: Puna që të gjithë po flasim bukur dhe po e kalojmë…

Rama: Ambicia është që ndërhyrja në kodin penal ta adresojmë më shpejt, për këtë do bëjmë një thellim të atyre pikave që unë ngrita këtu. Duke marrë edhe shembuj të tjerë, besoj që modeli anglez është modeli i duhur kundër dhunës dhe huliganizmit dhe do ta kalojmë shpejt. Brenda 100 ditëve…

Takaj: Ky 100 ditësh është shumë elektoral, jep një datë në avancë më shumë sesa ky 100 ditësh…

Rama: Atëherë bëji kalkulimet, se ti je kalkulator i mirë. Përcaktoje datën nga sot e 100 ditë. 20 qershor i bie, ne kemi fituar zgjedhjet paradite dhe pasdite do vijmë këtu të bëjmë paraqitjen.

Takaj: Më mirë bëje 110 ditë.

SAFET GJICI

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, në diskutimin e mbajtur në tryezën e rrumbullakët për të diskutuar ligjin mbi sportet dhe sidomos kundër dhunës, foli edhe për atë që Qeveria duhet të bëjë.

“Na kanë marrë në qafë këta palo tifozë, pesë apo dhjetë. Kush nga ne nuk e vendos rripin e sigurimit? Asnjë, të gjithë e vendosim. Sepse ndryshe ndëshkohemi me gjobë dhe ndaj ka ardhur respektimi i ligjit.

Bashkitë shpenzojnë fondet për sportin në udhëtimet e tyre, ne presidentët jemi të angazhuar 100%. Asnjë president i Superligës nuk është pronar i klubit ku investon.

Nëse nuk merren masa shpejt, atëherë ne më mirë të ikim. Më thoni klube që administrohen nga Bashkitë dhe kanë sukses? Nuk ka, klubet që ecin janë ato me presidentë që investojnë.

Ligji i Kosovës për sportin është shumë më lart se sa ne. Pse nuk deklarojmë rrogat reale? Sepse nuk na njihet asnjë kontribut.”

EDI RAMA

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalimit të gjatë të mbajtur në tavolinën e përbashkët të diskutimit për masat për sportin, ka folur edhe rreth stadiumeve, por edhe revolucionit të madh në futboll.

“Është bërë federata e futbollit si ambulancë, që merr përsipër. Normaliteti kërkon që pronarët e stadiumeve, bashkitë në këtë rast, në bashkëpunim me klubet, të hynin në një logjikë të re.

Hyrja në logjikë të re, sipas meje, do të thotë që ne të diskutojmë seriozisht për një fond për infrastrukturën sportive, një fond siç është shembulli anglez, por ka edhe të tjerë.

Pushteti ka qenë bashkëfinanciues, në impiante sportive, ka hyrë në partneritet që kanë pasur përqindje pronësie dhe e ka ruajtur, por ka qenë përgjegjës.

Por, u takon klubeve që të bëjnë edhe administrimin e stadiumit. Qëndrojmë ende në situata absurde me bashki që refuzojnë bashkëpunim me investitorët. Korim dhunë në stadiume që nuk kanë asnjë standart.

Madje, nuk duhen quajtur as stadiume. Shteti, fare mirë, mund të jetë aksionet në këtë fond. Fare mirë mund të mbështesë këtë fond, sipas projekteve të veçanta dhe gjithçka që përfiton e riinveston në këtë fond.

Kjo është pak a shumë ajo që besoj se do të çonte drejt nxitjes dhe frymëzimit për të investuar më shumë në futboll. Nuk mundet dot që me stadiume që janë as mish as peshk, me pronësira klubesh që s’janë pronësira. Hedh para, nuk dinë ku shkojnë…

Nuk duhet vazhduar më tutje. Këto janë disa ide. Eksperienca e shumëkujt këtu është më e vlefshme se leksionet dhe shembujt me lexime. Nuk diskutohet që federata vetë ka kontribute me këtë drejtim.

Të krijojmë komisione të reformës. Një të merret me dhunën, një tjetër me aspektet ekonomike dhe fiskale dhe e fundit që kam është nevoja për të parë mundësinë e zgjidhjes së problemit të arbitrazhit gjyqësor, që kjo të mundësohet brenda për brenda. Realisht, pse duhet të shkohet në Lozanë dhe nuk mund ta kemi këtu”.

REFIK HALILI

Presidenti i Tiranës, Refik Halili, ka kërkuar në mbledhjen e ditës së sotme që të rishihen edhe njëherë gjyqet që Tirana ka nga vitet e mëparshme. Ai shton se këto borxhe nuk kanë lidhje me drejtuesit e sotëm.

 “Shpresoj që këto që u diskutuan të zgjidhen të gjitha. Nga eksperienca që kam në futboll dhe në 8 vite që klubi shkoi drejt privatizimit dhe ne donatorëve na u kërkua të dorëzohet klubi, u dorëzua me borxhe por deri në fund të vitit 2014 borxhet shkuan në miliarda lekë.

 

Drejtues të klubit u drejtuan shumë veta duke bërë gjyqe dhe vinin shkresa që duheshin bërë në periudhën deri në vitin 2014. Në momentin kur drejtohet kështu, kjo është pronë e të gjithëve dhe e askujt.

Dikush e bën 20 mijë lekë kontratën e dikush 2-3 milionë, këtu nuk kemi garë të pastër. Kam një kërkesë dhe do të thoja që gjyqet që janë bërë para viteve 2010 janë të tmerrshme me falsifikime dhe sot na penalizojnë që nuk marrim dot licencimin.

Kërkojmë ndihmë pasi kemi detyrime në tatime dhe bashkëpunim me bashkinë kemi likuiduar shumë borxhe që kapin 1.6 miliardë. Është tmerr dhe kërkojmë të marrim licencimin dhe të likuidojmë pjesë-pjesë”.