MENU
klinika

Skena e viteve '50-të

Teatri kur zinte fill…

11.03.2019 - 13:48

Teatri Kombëtar ka çelur ekspozitën “Teatri, vitet ’50”, në ambientet e hollit të “arTurbinës”. Ekspozita do të qëndrojë hapur përgjatë gjithë mbrëmjeve të shfaqjes “Gusht: portret familjar”.

Për publikun, nga arkivi i teatrit janë prezantuar foto nga shfaqjet e ndryshme të atyre viteve. Nuk mungojnë të ekspozuara as veshjet e aktorëve që kanë interpretuar në skenë.

Teatri gjatë viteve ’50-të, i solli publikut aktorët brilantë me rolet e tyre të paharruara, duke nisur me punën e aktorëve: Mihal Popi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Marie Logoreci etj. Më pas, erdhën emrat e tjerë që bënë historinë e teatrit, si:  Margarita Xhepa, Drita Pelinku, Tinka Kurti, Sulejman Pitarka dhe Ndrek Luca.

25 maji i vitit 1945 shënoi krijimin e “Teatrit Profesionist të Shtetit” në Shqipëri. Teatri i krijuar rishtaz erdhi nga bashkimi i dy grupeve të njohura teatrore, ai i qarkut të Gjirokastrës, me regjisor Andon Panon dhe ai i qarkut të Korçës, me regjisor Sokrat Mion. Teatri qendror, asokohe kishte në përbërje 35 artistë të zgjedhur.

kolana e librave

Si teatër i sapoformuar, mund të thuhet se kishte një repertor aktiv, nga grupet teatrore partizane, si edhe me pjesët e reja që viheshin në skenë. Për kohën ishin shfaqjet si “Orët e Kremlinit”, “Mbi gërmadha”, “Doktor Aleksi”, “Studentja e vitit të fundit”, “Ngjarje në fabrikë”, “Sinjali i kuq”, “Përmbytja e madhe”, “Shënomëni dhe mua”, “Lulet e shegës” etj.

Në vitet ‘50-të dhe fillimin e viteve ‘60-të, repertori teatral u dominua nga dramaturgjia sovjetike. Teatri Kombëtar ishte shkolla ku u rritën dhe u afirmuan regjisorët e plejadës së parë, si: Sokrat Mio, Pandi Stillu, Andrea Malo, për të mbërritur në një stad të lartë pjekurie profesionale, me regjisorët: Pirro Mani, Kujtim Spahivogli, Mihal Luarasi, Fatos Haxhiraj, Dhimitër Pecani, Agim Qirjaqi, Gëzim Kame etj.

Aktorët e Teatrit Kombëtar janë tashmë, pjesë e kujtesës historike të artit skenik, po kaq edhe e kujtesës kombëtare.