MENU

Mohon spekulimet e opozitës

TEC-i në Korçë/ Klosi: Nuk do të bëhet kurrë!

18.03.2019 - 22:26

Ministri i Turizmit Blendi Klosi, foli për anullimin e ndërtimit të termocentralit pranë qytetit të Korçës, ku së fundmi, opozita ka ngritur spekulime se pas vendimit për revokimin e lejes mjedisore, TEC-i do të ndërtohej sërish.

Ministri hodhi poshtë zërat dhe garantoi se heqja e lejes është e parevokueshme.

“Jemi këtu së bashku me kryetarin e bashkisë së Korcës, pas një diskutimi të gjatë që kemi bërë edhe me banorët e zonës për TEC-in me avull në qytetin e Korçës dhe mendoj që revokimi i përhershëm dhe i plotë dhe i pakthyeshëm nga Ministria e Mjedisit ka qenë një veprim krejtësisht i denjë nga pikëpamja inxhinierike pasi ekspertët arritën të kuptonin që nuk kishte mundësi që afër qytetit të kishim një Tec të tillë pasi krijonte shumë problematika mjedisore për qytetin. Po ashtu pamë edhe opinionin e qytetarëve të cilët janë shumë më tepër të mbrojtje të natyrës, gjelbërimit dhe shumë larg ndërtimeve të tilla pranë qyteteve. Ai TEC pranë qytetit të Korcës nuk do të bëhet asnjëherë”, tha Klosi.

Kryetari i bashkise se Korçës vlerësoi vendimin e ministrit Klosi për të ndaluar ndërtimin e TEC-it në afërsi të qytetit, duke ritheksuar se vendimi është i pakthyeshëm.

“Ishte një projekt për të cilin ne si bashki e kemi shprehur qëndrimin tonë në vazhdimiësi, projekt i cili në pozicionin ku ishte propocuar dhe me masat që parashikonte cënonte nga ana mjedisore qytetin e Korçës. Korça është një qytet që ka në fokus turizmin, zhvillimin turistik dhe ky TEC në pozicionin e propozuar ne besojmë se e cënonte këtë perspektivë turistike të qytetit tonë. Falenderim i veçantë për ministrin e Mjedisit i cili siç thashë iu përgjigj pozivitisht kërkesës sonë duke mos dhënë pëlqimin për lejen mjedisore dhe duke e ndaluar këtë projekt që të zhvillohet në vendin ku ishte paracaktuar”, u shpreh kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo.