Pas Barcelonës dhe Real Madrid, është Juventus që ka ndryshuar fanellat për sezonin e ardhshëm. Por tifozët bardhezi kanë shfryrë ndaj uniformës së re dhe e kundërshtojnë hapur.
Juventus bën mirë të ndryshojë plane, sepse fanella e ardhshme është e shëmtuar dhe pa asnjë lidhje me traditën, ky është reagimi i shumë tifozëve juventinë.
Ndryshe nga fanella historike me vija bardhezi, Juve po mendon të kalojë te fanella e ndarë në dy pjesë, me Adidas që po punon për një dizajn pa precedent, me fanellën të ndarë në dy pjesë, njëra e bardhë dhe tjetra e zezë, por me një vijë rozë për t’i ndarë.
Ndërkohë, nga pas fanella do të jetë thuajse tërësisht e zezë. Pikërisht këto ndryshime kanë tërbuar shumë tifozë, që pak a shumë e kanë dhënë mendimin e tyre, duke e quajtur “të shëmtuar”, “absurde” dhe “të pështirë” fanellën e re, nëse do të zyrtarizohet.
Tashmë pritet vendimi i klubit për të bërë hapin tjetër, por megjithë këto kundërshtime, vështirë se Juventus do të miratonte një bluzë të këtillë për sezonin e ri.