MENU
klinika

Ndeshja në Fushë-Krujë

Tirana kërkon përjashtimin e gjyqtarit Sokoli

19.03.2019 - 16:54

Tirana ka dalë me një reagim zyrtar për ndeshjen kundër Kastriotit të luajtur në stadiumin “Redi Maloku”, të Fushë-Krujës. Bardheblutë kanë akuzuar gjyqtarin Olsi Sokoli për arbitrimin skandaloz të ndeshjes.

Klubi bardheblu shkon dhe më tej me akuzat e tyre, pasi bëjnë me dije se “xhaketa e zezë” ka fyer gjatë gjithë ndeshjes futbollistët dhe stafin e kryeqytetasve, ndërsa kërkojnë dhe reagimin e Shoqatës së Gjyqtarëve.

REAGIMI I KF TIRANA

“Klubi i Futbollit Tirana dënon ashpër gjykimin skandaloz në ndeshjen Kastrioti – Tirana. Përgjate 90 minutave të ndeshjes, gjyqtari Olsi Sokoli ka vendosur të ndikojë në rezultatin final të ndeshjes.

Fillimisht ka provokuar me shprehje raciste futbollistin Michael Ngoo e më tej ka dëmtuar skuadrën me vendimet arbitrare.

KF Tirana nuk është nxituar të dalë në konkluzione, por ka pritur për të ndjekur reagimet e të gjithë aktorëve dhe faktorëve brenda e jashtë fushave të lojës, si dhe analizuar pamjet filmike për gjithcka ka ndodhur.

Gjyqtari Olsi Sokoli, ka vepruar i vetëm, pa dëgjuar asistentët e tij, që në disa momente vendimtare të ndeshjes i kanë kërkuar të marrë vendime të drejta, tërësisht të ndryshme nga cfarë ai ka vendosur.

Fjalori me të cilin gjyqtari ka provokuar lojtarët e Tiranës dhe stafin teknik, janë një tjetër argument që bëjnë klubin të kërkojë një dënim radikal nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe specifikisht nga Sektori i Arbitrimit.

KF Tirana kërkon përjashtimin nga futbolli të gjyqtarit Olsi Sokoli për një gjykim të paprecedentë, komunikim ofendues dhe përdorimin e shprehjeve raciste kundrejt lojtarëve të Tiranës.

Gjithashtu, ftojmë publikisht Shoqatën e Arbitrave, të reagojë kundrejt dhunës, që në këtë rast, ushtroi një gjyqtar futbolli përballë 11 futbollistëve, stafit teknik, stafit drejtues dhe të gjithe tifozëve bardheblu”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kategoria Superiore, Java 25

Kastrioti thyen Tiranën, paqe në Laç