MENU
klinika

Të dhënat

Tregu i kredisë, bankat që kryesojnë

04.03.2019 - 15:16

Megjithëse vitin e kaluar kredia për ekonominë në përmasa u zvogëlua më tej, sërish një pjesë e bankave vazhdojnë të jenë aktive në kredidhënie dhe të fitojnë pjesë tregu.

Mbështetur në të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave, në fund të shtatorit 2018, tre bankat më të mëdha kredituese të ekonomisë ishin BKT, Credins dhe Raiffeisen.

Por, tendenca e huadhënies është e ndryshme. BKT dhe Credins vazhdojnë të rritin pjesën e tregut, ndërsa Raiffeisen edhe vitin e kaluar ishte në rënie.

Në fund të 9-mujorit të vitit të kaluar, BKT mbante 23.3% të tregut të kredisë, në rritje të mëtejshme me 0.4 pikë përqindje që nga fillimi i vitit.

Credins është banka e dytë më e madhe kredituese, me 17.6% të portofolit total të kredisë dhënë nga sistemi bankar.

Gjatë 9-mujorit të vitit të kaluar, Credins e ka rritur më tej pjesën e tregut me 0.3 pikë përqindjeje. Në vitet e fundit, banka më e madhe me kapital shqiptar po faktorizohet brenda tregut bankar.

Raiffeisen, dikur banka më e madhe në vend, vazhdon të humbasë pjesë tregu. Në shtator të vitit të kaluar, banka e grupi austriak mbante 15.6% të portofolit të kredisë, në rënie me 0.2 pikë përqindje që nga fillimi i vitit.

Me një trajektore të ngjashme, edhe Intesa Sanpaolo e ka ulur më tej pjesën e tregut në 7.3%, nga 8.2% që zotëronte në fillim të vitit.

Ndër bankat e tjera, në rritje të vazhdueshme është Societe Generale që ka arritur në 8.9% të portofoli total të huasë së sistemit bankar. Megjithëse në procesin e shitjes te hungarezët e OTP, Societe Generale nuk e frenuar huadhënien as vitin e kaluar. Rritje surprizë gjatë vitit 2018 ka shfaqur edhe Alpha Bank.

Pas disa vitesh në pozita konsoliduese, banka e grupit grek i është rikthyer rritjes dhe në shtator të vitit të kaluar mbante 6.5% të tregut.

Të tjera banka që po shfaqin rritje të qëndrueshme të pjesës së tregut në huadhënie janë edhe Union Bank, që ka arritur në 3.8% dhe Fibank me 2%.