MENU
klinika

Nënshkrimi i proklamatës

Trump njeh zyrtarisht lartësitë e Golanit si territor të Izraelit

25.03.2019 - 17:57

Presidenti i SHBA Donald Trump nënshkroi një proklamatë që njeh zyrtarisht Lartësitë Golan si territor izraelit.

Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua gjatë një vizite të Kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu në Shtëpinë e Bardhë.

Pas bisedimeve me Presidentin Trump, Netanyahu do të niset menjëherë për në Izrael, duke e shkurtuar vizitën, për shkak të një sulmi me raketa nga Rripi i Gazës. Vizita vjen në një kohë që zoti Netanyahu përpiqet të sigurojë mbështetje politike për zgjedhjet e 9 prillit.

Me një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i SHBA Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që njeh zyrtarisht Lartësitë Golan si territor izraelit.

Izraeli e pushtoi këtë territor nga Siria gjatë Luftës Gjashtë Ditore më 1967 dhe e aneksoi atë në vitin 1981.

Nënshkrimi u bë në praninë e kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanjahu, i cili po e shkurton vizitën në SHBA për shkak të sulmit me raketa nga Rripi i Gazës, që udhëheqësi izraelit e quajti “kriminal”. Në një deklaratë Netanyahu tha se Izraeli do të reagonte me forcë ndaj sulmit.

Raketa goditi një shtëpi në Izraelin qendror, në verilindje të Tel Avivit, duke plagosur shtatë vetë.

“Ne u zgjuam nga shpërthimi, unë jetoj disa rrugë më larg, xhamat e dritareve u dridhën dhe në shtëpitë që ishin më pranë, ato u shkatërruan. Ne telefonuam për të parë nëse kishte të plagosur dhe se si mund të ndihmonim,” thotë Yoav Zohar, banor vendës.

 

Policia izraelite tha se raketa ra në komunitetin Mishmeret, në veri të qytetit Kfar Saba, duke shkaktuar zjarr dhe shkatërrimin e shtëpisë.

Ushtria izraelite tha se kishte identifikuar një raketë të lëshuar nga Rripi i Gazës. Deri tani askush nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë për incidentin. Sulmi ndërmerret 10 ditë pas një tjetër incidenti, kur raketat goditën kryeqytetin Tel-Aviv, një zonë me popullsi të dendur.

Vizita e zotit Netanjahu në Uashington vjen ndërkohë që ai po përpiqet të sigurojë mbështetje politike për zgjedhjet e 9 prillit, një garë e vështirë, ku ai synon të rizgjidhet.