MENU

Ç'kërkon BSH?

Ulja e euroizimit të ekonomisë

28.03.2019 - 14:19

“Strategjia e deeuroizimit”, ishte kjo nisma që u mor një vit më parë nga Banka e Shqipërisë.

Synimi i kësaj strategjie është ulja e nivelit të lartë të përdorimit të euros në ekonominë shqiptare.

Sipas analizës së fundit të Bankës së Shqipërisë për strategjinë e deeuroizimit, vihet re se pesha e depozitave në euro mbetet e lartë.

Drejtori i Departamentit të Stabilitetit Financiar në Bankën e Shqipërisë, Klodion Shehu thekson se ulja e përdorimit të euros është e rëndësishme për të përmirësuar mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, por edhe për të ulur rrezikun e kursit të këmbimit për familjet dhe bizneset shqiptare.

Ndërkohë mbështetur në Memorandumin e bashkëpunimit nënshkruar para 1 viti, pritej që për uljen e euroizimit të merreshin masa edhe nga palët e tjera nënshkruese si; Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Nisur nga kjo, nëse euro vijon të përdoret masivisht në ekonomi, atëherë do të jetë e vështirë që monedha europiane të pakësohet brenda sistemit financiar.

Ndërkohë Banka e Shqipërisë që prej korrikut të kaluar ka rritur nivelin e rezervës së detyrueshme për valutat dhe e uli për lekun.

Çfarë është rezerva e detyrueshme?

-Është përqindja e depozitave që çdo bankë duhet të mbajë të papërdorura në një llogari të bankës qendrore.

Sa u rrit niveli i rezervës për depozitat në euro?

-U rrit nga 10% në 12.5%

Sa u ul niveli i rezervave të detyrueshme për lekun?

-U ulën nga 10% në 7.5% të totalit

Ulja e rezervës së detyrueshme në lekë sjell kosto më të ulëta për ndërmjetësimin në monedhën vendase.