MENU
klinika

Deklarata

Veliaj: Unë me Ramën, më afër se mishi me thoin

28.03.2019 - 22:06

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ka folur për marrëdhënien e tij e kryeministrin Edi Rama.

Veliaj u shpreh se ai me kryeministrin janë si mishi me thoin, ndërsa shtoi se Rama është një nga njerëzit që e ka mbështetur në punën e tij në krye të Bashkisë së Tiranës.

“Është jo vetëm shefi, por edhe shoku im dhe partneri im në këtë rrugëtim politik, dikush që më ka promovuar, dikush që më ka mbështetur në ditët e mia më të vështira, larg edhe brenda syrit të medias dhe dikush që më ka mbështetur në një vendimmarrje jo të lehtë në Bashkinë e Tiranës. Nëse ka pasur komunikim të tillë për sondazhet ka qenë Edi që më thotë: Lal, shi sa mirë ia kemi dalë, jepi gaz e shih punën. E kam thënë në këtë studio “mishi me thoin” nuk di të jenë më afër se unë me Ramën”, tha ai.

Më tej, kryebashkiaku theksoi se në 30 vitet e fundit, asnjëherë nuk ka pasur një marrëdhënie më të mirë mes një kryeministri dhe një kryetari Bashkie se sa kanë qenë këto katër vite mes tij dhe Edi Ramës.

“Unë nuk di në 30 vite pluralizëm, një kryeministër të ketë qenë më afër me një kryetar bashkie, seç jam unë me Edi Ramën dhe seç kam qenë këto 4 vite. Sinkronizim vendimmarrje, qëllimi dhe pasioni, si këto katër vite, unë vetë nuk di të ketë pasur ndonjëherë Tirana.

Nuk kemi pasur asnjë ngërç. Problemi është që në një situatë ku çdo gjë gatuhet në kafe, dhe ku çdo gjë bëhet për diversion, ku pala tjetër nuk kas një alternativë, as nuk e kemi marrë mundimin që të refuzojmë ose që të replikojmë me çdo lloj diversioni. Në pjesën më të madhe unë dhe kryeministri jemi argëtuar dhe kemi thënë, ne kemi punë më të mirë për të bërë. Ai është mandatuar për të qenë kryeministër, unë kryetar bashkie”, nënvizoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës zbuloi në emisionin “Opinion” edhe komunikimin që ka me kryeministrin Rama dhe bashkëpunimin e tyre të përditshëm.

“Di t’ju them që unë dhe kryeministri flasim mesatarisht 20 herë në ditë. Nëse kjo quhet ftohje, nuk e di çfarë vlon më tej. Jam pjesë e Kryesisë së PS dhe kam kontributin tim në vendimmarrjen qëndrore të PS, si anëtar kryesie. Duke qenë se Tirana është edhe selia e të gjithë institucioneve qendore, përfshi këtu një stadium kombëtar, përfshi këtu gjykatat, përfshi Teatrin Kombëtar, do të thotë që jemi të ndërlidhur në këtë vendimmarrje.

Disa herë kemi prona siç është rasti i Teatrit, ka një pronë Bashkia, ka një pronë Qeveria. Në disa raste të tjera duhet të bëjë rrugë aksesi bashkia, siç është rasti i stadiumit “Qemal Stafa”. Bashkia do të bëjë rrugët e aksesit dhe parkingun nëntokësor, sepse është në tokën e vet në Sheshin “Italia”. Kryeministri stadiumin. Kështu që i kemi lidhur pazgjidhshmërisht punët”, theksoi kryebashkiaku.