MENU
klinika

Marrëveshja

Vendet e Ballkanit Perëndimor, së shpejti pa “Roaming”

28.03.2019 - 17:37

Vendet e Ballkanit Perëndimor, më 4 prill të këtij viti do të nënshkruajnë marrëveshjen për heqjen e çmimeve të shërbimeve “Roaming”, që zbatohet në kuadër të telekomunikimit. Pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe Kosova.

Tarifa e “Roaming”-ut nënkupton telekomunikimin dhe shërbimin që qytetarët e përdorin në një shtet tjetër, nga një qendër e operatorit të telefonisë së lëvizshme. Këto tarifa janë kryesisht dyfish më të larta sesa ato që përdoren për telekomunikim brenda një shteti.

Marrëveshja për “Roaming”-un ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë, është planifikuar të nënshkruhet në Samitin e dytë Digjital që do të mbahet në Beograd.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, i cili pret të jetë i pranishëm në këtë samit në Beograd, tha për “Radion Europa e Lirë” se, Kosova është e gatshme dhe ka përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme për këtë marrëveshje.

20 celularet me te mire dhe cmimet-konica.al

Marrëveshja në tërësi planifikohet të zbatohet në korrik të vitit 2021, kurse reduktimet në uljen e tarifave do të fillojnë nga 1 korriku i këtij viti. Heqjen e tarifave të telekomunikimit për vendet e Ballkanit Perëndimor e ka kërkuar Bashkimi Europian, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve.

Por, taksa që qeveria e Kosovës ka vendosur mbi mallrat serbe mund të përbëjë këtu një problem. Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç tha se taksa ka rrezikuar të gjitha marrëveshjet rajonale. “Si të nënshkruhen marrëveshjet e reja, kur ato të vjetrat nuk respektohen?”, ka thënë ajo.