MENU

Çfarë po ndodh?

Vlora sërish nën ‘ethet’ e zjarrit!

21.03.2019 - 08:40

Seriali i djegies së automjeteve në qytetin bregdetar të Vlorës është “pasuruar” me një tjetër episod të ndodhur gjatë orëve të para të kësaj të enjteje.

Një automjet tip fuoristradë është përfshirë nga flakët deri në shkrumbim, rreth orës 4 të mëngjesit, shumë pranë Gjykatës së Vlorës. Me të marrë njoftim, policia ka shkuar në vendngjarje dhe nisi po ashtu hetimet, me dyshimet e para që flasin për zjarrvënie të qëllimshme.

Automjeti rezulton në pronësi të shtetasit 50-vjeçar, R.M., i cili është marrë në pyetje nga policia për ndonjë konflikt të mundshëm. Hetuesit kanë nisur gjithashtu kontrollin e kamerave të sigurisë përreth zonës ku u dogj automjeti, në përpjekje për të zbuluar autorin apo autorët e mundshëm të saj.

Ky nuk është rasti i parë i djegies së qëllimshme të makinave në Vlorë, teksa deri më tani, asnjë autor i rasteve të mëparshme nuk është zbuluar nga policia.