MENU
klinika

Materiali i plotë nga Prokuroria

Vrasja e Jurgen Kurtit, zbulohen mesazhet e porositësit

29.03.2019 - 19:45

Në dosjen hetimore të ngjarjes së 18 marsit në rrugën “Zef Jubani”, në Tiranë, ku u vra me armë zjarri Jurgen Kurti, për identifikimin e autorëve të dyshuar të ngjarjes, kanë ardhur në ndihmë dhjetëra kamera sigurie.

Kamerat kanë fokusuar një makinë tip “Mercedes Benz E Clas”, ngjyrë gri, e cila u përdor nga autorët për t’u larguar nga vendngjarja. Gjithashtu edhe shkëmbimin e mesazheve në një lokal përballë palestrës, ku ndodhej 26-vjeçari Kurti para se të vritej. Sipas materialit që është referuar në Prokurorinë e Tiranës nga Policia, mësohet se kamerat e sigurisë në zonën ku ndodhi ngjarja, kanë fiksuar makinën “Mercedes Benz E Clas”, ngjyrë gri.

Kjo makinë është fokusuar për herë të parë nga kamerat e sigurisë rreth orës 20:00. Në këtë orë, automjeti futet kundërvajtje në vendin ku më vonë u ekzekutua Jurgen Kurti. E njëjta makinë është fiksuar nga kamerat edhe kur del nga aty, pranë Postës nr.8 e më pas në rrugën “Sulejman Delvina”, pasi kishte bërë tri xhiro rreth vendit të ngjarjes. Në materialin referues, Policia thekson se targat e mjetit rezultojnë të vjedhura. Ndërsa shton se, më vonë, referuar pamjeve të kamerave të sigurisë, ka rezultuar se automjeti ishte në pronësi të shtetasit Klodjan Bane (Buxhuku).

Ky person, në pamjet filmike të analizuar nga Policia, shfaqet kur shkon te vendi i ngjarjes dhe qëndron afro një orë aty. Madje, në një moment ai del disa herë nga makina dhe kamerat pranë zonës e kanë fokusuar, edhe duke fotografuar hyrjen e pallatit ku banonte Jurgen Kurti, vend ku më vonë ai mbeti i vrarë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 25 gëzhoja arme zjarri, 4 predha, etj.”, thuhet në materialin hetimor. Jurgen Kurti është mbajtur nën vëzhgim nga Elsi Levendi, i cili ka komunikuar me mesazhe me një numër të panjohur. Më poshtë, dinamika e plotë e ngjarjes, identifikimi dhe deklarimet e të arrestuarve.

Dinamika e plotë e ngjarjes sipas materialit që është referuar në Prokurori

Nga informacionet e siguruara nga Policia në rrugë operative, është mësuar se përveç ekzekutorit, i cili ka qenë me një automjet tip “Mercedes Benz E Class”, me ngjyrë gri, një tjetër shtetas e ka ndihmuar duke e orientuar për lëvizjet e viktimës. Këto të dhëna kanë orientuar veprimet për administrimin dhe këqyrjen e pamjeve filmike, duke filluar nga vendi i ngjarjes dhe në vazhdim.

Nga pamjet filmike të marra në vendin e ngjarjes, rezulton se një automjet tip “Mercedes Benz E Class”, me disa karakteristika dalluese si: drita e frenës te pjesa e bagazhit, që kur frenon rezulton të ndizet vetëm çereku i saj, nga e djathta në të majtë, ka mungesën e shkrimit të të dhënave në pjesën e bagazhit, ka një antenë në pjesën qendrore të xhamit të pasmë. Ky automjet konstatohet për herë të parë rreth orës 20:00 që vjen te vendi i ngjarjes kundërvajtje dhe më pas bën 3 xhiro përreth vendit të ngjarjes, duke kaluar nga Posta nr.8, te vendi i ngjarjes e më pas tek një market dhe duke dalë sërish në rrugën “Sulejman Delvina”.

Në këtë formë unaze automjeti është konstatuar 3 herë. Gjatë kësaj kohe kjo makinë mbante targën AA 926 GP, e cila figuron e vjedhur në Tiranë, më 17.08.2016, në pronësi të shtetasit Sh.A. Rreth orës 20:30, ky automjet shkon te vendi i ngjarjes, ku shikohet të qëndrojë i ndaluar aty për rreth një orë. Drejtuesi i mjetit shfaqet disa herë, duke dalë nga makina dhe në një nga këto momente kur del, konstatohet duke bërë veprime të ngjashme me fotografimin e shkallës së shtetasit Jurgen Kurti.

jurgen kurti-konica.al
jurgen kurti-konica.al

Momenti i vrasjes

Gjatë kësaj kohe, shtetasi Elsi Levendi konstatohet se vjen nga Posta nr.8 dhe ulet te kafja ngjitur me hyrjen e palestrës. Më pas qëndron aty. Rreth orës 22:05, shtetasi Jurgen Kurti del nga palestra nën shoqërinë e një vajze dhe së bashku shkojnë drejt Postës nr.8. Në këto momente shtetasi Elsi Levendi, në dukje të kamerave të sigurisë, bën veprimin e komunikimit me mesazhe telefonike dhe automjeti i parkuar te shkalla e banesës së shtetasit Jurgen Kurti fillon të lëvizë e të shkojë drejt Postës nr.8.

Rreth orës 22:08, shtetasi Jurgen Kurti kthehet nga Posta nr.8, ku vihet re se tani e ndjek automjeti “Mercedes Benz E Class”, i cili arrin më parë te shkalla e banesës dhe zbret drejtuesi i mjetit nga makina, duke marrë një send në dukje si armë zjarri dhe shkon drejt hyrjes së pallatit, duke bërë veprime të njëjta me atë të gjuajtjes me armë zjarri. Më pas hipën në makinë dhe shkon drejt ish lokal “Shushicës”. Ky automjet konstatohet më pas te Kopshti Zoologjik dhe në këtë kohë shtetasi Elsi Levendi shihet duke shkuar drejt Postës nr.8 dhe hipën në një taksi që qëndronte aty pranë një kompanie taksish. Me ketë taksi ai niset drejt Liqenit të Thatë.

Largimi nga vendngjarja

Rreth orës 22:15, shtetasi Elsi Levendi është parë te një market pranë Liqenit, që ndodhet tek diga, duke marrë një paketë cigare. Nga kamerat e këtij marketi vihet re që dispononte disa shuma të mëdha monetare, euro. Në rrugën e Liqenit të Thatë vihet re një automjet tip “Audi”, modeli Allroad, i cili vazhdon lëvizjen dy makina para makinës “Mercedes Benz E Class”, mjeti i ngjarjes. Te pjesa e digës së Liqenit të Thatë konstatohet se “Audi” kthehet te kryqëzimi dhe drejtuesi i saj është duke komunikuar në telefon, ndërsa makina tip “Benz” kthehet te rrethrrotullimi në afërsi të Spitalit Veterinar. Në momentin e kthimit në drejtim të “Mercedes”- it, “Audit” i duket targa, e cila është AA 301 RM, në pronësi të shtetasit Olsi Qalliaj. Të dy mjetet afrohen në pjesën fundore të Liqenit të Thatë, ku më pas i bashkohet edhe taksia, nga ku zbret Elsi Levendi. Pasi bëhen të tre bashkë, personi që ka zbritur nga taksia, personi që zbret nga “Audi” dhe një person tjetër, njëri prej tyre shkëputet me një qese dhe shkon drejt Liqenit të Thatë. Ndërsa dy të tjerët ikin së bashku në drejtim të hyrjes së pallateve. Pas 25 minutash zbret dikush dhe shkon përsëri te Liqeni i Thatë dhe merr qesen e lënë aty më parë. Pas 2 minutash zbresin dy persona nga hyrja e pallateve dhe njëri prej tyre largohet me “Audin”, ndërsa tjetri kthehet sërish nga erdhi. Më datë 19 mars, pas orës 09:00, konstatohen dy persona të dalin nga pallati dhe të marrin mjetin “Mercedes” me të njëjtat karakteristika të mjetit që ka kryer ngjarjen, ku pasi shkojnë te një market në rrugën Liqeni i Thatë, rrotullojnë makinën ku edhe konstatohet targa e mjetit AA 225 VN. Nga automjeti zbresin shtetasit Elsi Levendi dhe Klodjan Bane, të cilët pasi hyjnë në një market ndahen nga njëri-tjetri. Elsi Levendi merr “Mercedesin”, ndërsa Klodjan Bane vazhdon të lëvizë në këmbë në drejtim të Kopshtit Zoologjik. Nga verifikimet e bëra të targës AA 225 VN, rezulton se është në pronësi të shtetasit Klodjan Bane (Buxhuku).

jurgen kurti-konica.al
jurgen kurti-konica.al

Taksisti

I është marrë deklarim taksistit P.Q., i cili ka qenë i parkuar në afërsi të Postës nr.8, ku pas ngjarjes ku është vrarë shtetasi Jurgen Kurti, rreth orës 22:10, në taksinë e tij ka hipur një person, në pjesën e pasme dhe i ka thënë që ta çonte te Liqeni i Thatë. Taksisti ka deklaruar se ky person, gjatë rrugës po komunikonte me sms me telefon. Ky person, sipas taksistit, nga mënyra e të folurit ishte me dialekt jugor dhe gjatë rrugës, në afërsi të një supermarketi i ka thënë që ta ndalonte makinën, pasi do të blinte një paketë cigare. Kjo është verifikuar edhe nga pamjet filmike. Pasi ka blerë cigaret, ai e ka çuar nga zona e Liqenit të Thatë, ku e ka lënë në afërsi të një pallati pranë digës së Liqenit. Nga verifikimet që ka bërë Policia, rezulton se personi që ka hipur në këtë taksi është shtetasi Elsi Levendi, me banim në Patos.

Elsi Levendi

Nga deklarimet që ka dhënë shtetasi Elsi Levendi, me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, ka shpjeguar se më datë 18 mars, rreth orës 18:00, ai është takuar me shtetasin Klodjan Bane (Buxhuku) dhe pasi ka biseduar pak me të ai është larguar në drejtim të Stadiumit “Dinamo” dhe kur ka qenë në afërsi të sheshit “Willson”, atij i ka ardhur një mesazh në telefonin e tij nga një numër i paregjistruar, ku i thuhej: “Kalo pak te lagjja mbrapa Postës nr.8 dhe shiko mos shikon shtetasin Jurgen Kurti dhe më thuaj nëse e sheh këtë person”.

Ai i është përgjigjur duke i thënë se nuk e njihte, por atij i ka ardhur edhe një mesazh tjetër ku i thuhej: “Vetëm rri aty, nëse e shikon më njofto”. Më pas ai është ulur në një lokal me verandë për rreth një orë dhe duke qëndruar në këtë lokal për një moment ai ka parë që Jurgen Kurti ka dalë nga palestra dhe i ka dërguar mesazh numrit pa emër duke i shkruar: “Doli një person, por nuk jam i sigurt nëse është ai personi”.

Në moment i ka ardhur një mesazh ku i thuhej: “Është një djalë i gjatë, i bëshëm”. Pasi ai e ka shoqëruar me sy këtë person për disa sekonda dhe pasi ky person ishte larguar, ai ka dëgjuar disa të shtëna arme.

Shtetasi Elsi Levendi, në shpjegimet e tij ka sqaruar se pasi ka dëgjuar krismat është trembur dhe është larguar me këmbë para Postës nr.8, ka marrë një taksi, është ulur në sediljen e pasme dhe pasi kanë kaluar Kopshtin Zoologjik i ka kërkuar shoferit të ndalonte pasi donte të blinte cigare.

Shoferi ka ndaluar, ai ka zbritur, ka blerë paketën me cigare dhe ka shkuar poshtë pallatit, ku i ka dhënë lekët shoferit të taksisë e më pas është ngjitur në banesë. Pas rreth 10 minutash i ka telefonuar shtetasi Klodi Bane, i cili i ka kërkuar të zbriste poshtë. Ai ka zbritur, është takuar me Klodin, i cili i ka ardhur me automjetin “Audi A6”, me targë AA 301 RM. Ka qëndruar poshtë pallatit me të 5 minuta dhe më pas janë ngjitur të dy në shtëpinë, ku kanë ndenjur pak dhe më pas e ka përcjellë Klodin poshtë pallatit, i cili është larguar me “Audin” që erdhi.

Me këtë mjet, shtetasi Elsi Levendi shpjegon se e kishin shoqëruar në Polici atë ditë, pra më datë 25 mars. Levendi shpjegon se ditën e nesërme, më datë 19 mars, poshtë pallatit të tij ka shkuar shtetasin Klodian Bane (Buxhuku) me automjetin tip “Audi A6”, me targë AA 301 RM. Ai i ka thënë se nëse donte të lëvizte me automjet, të merrte çelësat e makinës tip “Mercedes Benz”, me targë AA VN, të cilat ia ka dhënë. Ky automjet ndodhej i parkuar poshtë pallatit të tij, por që shtetasi Elsi Levendi nuk kishte dijeni se kush e kishte parkuar. Me këtë automjet Levendi ka lëvizur nga mëngjesi deri pasdite, rreth orës 18:00, ku më pas e ka parkuar prapa Stadiumit “Dinamo” dhe çelësin ia ka dhënë shtetasit Klodjan Bane.

Po kështu, ai ka shpjeguar se nuk mbante mend numrin telefonik që i ka dërguar mesazhe, por mendon se mesazhet mund t’i ketë dërguar dikush i njohur nga shokët e tij, Klodjan Bane, Olsi Qalliaj ose Alesio Berberi. Automjeti “Audi” me targa AA 301 RM, është në pronësi të shtetasit Olsi Qalliaj, ndërsa automjeti “Mercedes Benz E Class”, me targa AA 225 VN, është në pronësi të shtetasit Klodjan Bane. Nga kontrolli fizik i ushtruar, shtetasit Elsi Levendi, gjatë kapjes së tij, në xhupin e tij është gjetur një mbështjellje me plastmas, ku brenda saj ndodhej lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa, ku gjatë peshimit rezultoi me peshë të përgjithshme prej 0.4 gramësh. Nga verifikimet e targave të makinës që është përdorur si dhe pronësisë, është bërë e mundur të kapet shtetasi Alesio Berberi, ku gjatë kontrollit të banesës i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një pistoletë “TT”, të cilën e kishte në një çantë dore sipër televizorit, me tre fishekë dhe dy fishekë sipër sirtarit në dhomën e gjumit të fëmijëve.

Olsi Qalliaj

Nga verifikimi i targave të automjeteve që dyshohet se janë përdorur nga autorët, rezulton se një nga automjetet ishte në përdorim nga shtetasi Olsi Qalliaj, nga Patosi, i cili në deklarimet që ka dhënë me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, ka shpjeguar se ai ndihmonte shtetasin Alesio Berberi në shitjen e makinave.

Sipas tij, disa makina ai i kalonte në emër të tij. Gjithashtu, ka shpjeguar se ka në pronësi disa automjete si: “Porche Cayen”, “Golf”, “Benz”, “Audi S4” dhe mjetin “Audi A6”, me targa AA 301 RM, por që nuk janë të tijat si prona, por të shtetasit Alesio Berberi. Në lidhje me automjetin “Audi”, me targa AA 301 RM, ai ka shpjeguar se për këtë automjet ka nënshkruar aktin e shitblerjes së bashku me një femër, së cilës nuk ia mban mend emrin. Ai nuk e mban mend se me çfarë targash ka qenë ky automjet në momentin që ai e ka nënshkruar aktin e shitblerjes.

Këtë akt ai e ka nënshkruar para rreth një viti e gjysmë te një noter në qytetin e Fierit. Këtë automjet ai e ka përdorur për herë të fundit para rreth 4 muajsh dhe pastaj, mesa kujton ai, makinën e ka përdorur shtetasi Klodjan Bane. Para rreth një muaji, ai ka parë se në Tiranë këtë automjet e përdorte shtetasi Klodjan Bane. Gjithashtu, edhe para 5 ditësh, ai shpjegon se e ka parë përsëri që këtë automjet e përdorte përsëri ky person në Fier. Ai shpjegon se Klodjanin e ka njohur para rreth një viti në një lokal në Fier nëpërmjet Alesios dhe shtetasit Elsi Levendi.

Ai vetëm përshëndetej me këtë person dhe nuk ka pasur ndonjë marrëdhënie të afërt me të. Ndërsa shtetasin Elsi Levendi e ka njohur që në shkollë të mesme dhe më përpara në Patos. Ai me Elsin ka marrëdhënie shoqërore. Klodjanin për herë të fundit e ka takuar ditën e enjte, javën e kaluar, në afërsi të Komunës së Parisit, ku atij i ka marrë çelësat e apartamentit që ai kishte në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, pasi do të qëndronte tek ajo shtëpi, pasi nuk kishte ku të flinte. Atë ditë, ka shkuar te ky apartament rreth orës 22:30 dhe aty nuk ka gjetur ndonjë person në shtëpi. Para ditës së enjte, ai nuk e mban mend saktësisht kur e ka takuar Klodjanin.

Lidhur me banesën e Klodjanit, ai shpjegon se në këtë banesë brenda ka qenë vetëm një herë dhe atëherë nuk ka parë person tjetër. Ndërsa para rreth një muaji e gjysmë, ai ka qenë poshtë pallatit të këtij apartamenti, ku ka takuar shokun e tij Elsi Levendi dhe një person me emrin Martin, të cilin e ka takuar disa herë dhe di se qëndron në këtë shtëpi së bashku me Elsin.

Martini është i moshës rreth 30 vjeç dhe, sipas tij, e di që është nga Fieri. Shtetasin Elsi Levendi ai e ka takuar para rreth dy javësh në Fier për herë të fundit. Ndërsa shtetasin Alesio Berberi shpjegon se e ka takuar para rreth një jave në Tiranë, ku ka pirë kafe te një bar, te “Komuna e Parisit”, rreth orës 20:00-21:00 të darkës. Pasi ka pirë kafe me Alesion, ai thotë se ka shkuar me taksi te shtëpia e të dashurës së tij, shtetases A.Ç, te Rruga e Elbasanit. Gjithashtu, shpjegon se e ka takuar Alesion ditën e djeshme në mëngjes dhe e ka dërguar në Aeroportin e Rinasit me automjetin tip “Benz”, me targa AA 646 PO.

Ai ka shkuar në aeroport së bashku me të dashurën e tij, ku ka dashur të udhëtojë për në Gjermani me pushime për tri ditë. Në aeroport shpjegon se e ka ndaluar Policia dhe e kanë sjellë te Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë. Automjeti “Benz”, me të cilin ka udhëtuar drejt aeroportit, ai thotë se ka qenë në servis për njëfarë kohe dhe ai e ka marrë këtë makinë nga servisi para rreth një muaji e gjysmë. Pastaj këtë automjet, mesa di ai, e ka përdorur shtetasi Alesio Berberi.

Ai deklaron se e ka përdorur pastaj këtë makinë ditën e enjte në Tiranë, te shtëpia e së dashurës së tij dhe pastaj e ka marrë të shtunën në Fier dhe e ka sjellë në Tiranë. Të nesërmen, me këtë automjet e ka dërguar Alesio në Rinas. Në lidhje me veprimet që ka kryer më datë 18 mars, ditën e hënë, shpjegon se nuk i kujtohet me saktësi se çfarë veprimesh ka bërë atë ditë.