MENU
klinika

Prishja e marrëveshjeve në biznes

Vrasja në Bllok/ Zbardhen pistat e hetimit, Mata dëshmon javën që vjen

15.03.2019 - 15:26

Prokuroria e Tiranës pritet që të marrë dëshminë e Ervin Matës javën që vjen, ndërsa burime thonë se për zbardhjen e motiveve të ngjarjes së 5 tetorit, është duke u hetuar edhe pista e prishjes së marrëveshjeve në biznes, mes tij dhe njerëzve të afërt të Ervis Martinajt.

Përgjatë këtyre muajve, akuza e kryeqytetit ka ndjekur një sërë drejtimesh për të zbardhur motivet e ngjarjes me një të vrarë e dy të plagosur në ish-Bllok, ndërsa duket se ngacmimi i së fejuarës së Matës, këngëtares Elvana Gjata, nuk i ka bindur fortë hetuesit.

Këta të fundit janë duke kryer verifikime edhe për shkaqet e tjera të dala gjatë hetimeve.

Po verifikojnë bashkëpunimin në biznes mes Matës dhe disa personave pranë Martinajt.

Këta persona kanë pasur disa prona kryesisht në Tiranë, por jo vetëm, në të cilat Mata ishte në rolin e investitorit. Për këtë marrëdhënie, ata kanë pasur edhe kontrata bashkëpunimi dhe është duke u parë nëse konflikti mund të ketë ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve mes tyre.

Burimet thonë se ende nuk ka një rezultat nga këto verifikime, por hetimet vazhdojnë, ndërsa gjatë javës që vjen, biznesmeni, i cili tashmë është në masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”, do të merret në pyetje.

Gjatë kësaj jave, avokati i Ervin Matës ka dorëzuar në Prokurori një memo me anë të së cilës i kërkon që të merret në pyetje në lidhje me ngjarjen. Mësohet se ai ende nuk ka dhënë dëshminë në Prokurori për ngjarjen e rëndë dhe ka kërkuar të japë shpjegimet dhe pretendimet e tij.

Bëhet e ditur se akuza e ka administruar kërkesën e avokatit, megjithëse marrja në pyetje do të bëhej gjithsesi. Ndërkohë, mbi Matën vazhdon të rëndojë akuza e “Vrasjes” së mbetur në tentativë, ndërkohë që Gjykata e Shkallës së Parë vendosi t’i zbusë masën e sigurisë.

Vendimi është apeluar nga Prokuroria, që kërkon kthimin e tij në “Arrest në burg” për biznesmenin. Kërkesa e akuzës pritet të shqyrtohet gjatë javëve në vazhdim nga Gjykata e Apelit të Tiranës.

Ngjarja në fjalë ndodhi në 4 tetor, rreth orës 21:30 në ish-Bllok, ndërsa rreth 12 orë pas përplasjes, Policia njoftoi se bëri arrestimin në flagrancë të shtetasve Ervis Martinaj, 36 vjeç, banues në Tiranë dhe Eljon Hato, 28 vjeç, banues në Shkodër.

Ndërsa shpalli në kërkim shtetasit Ervin Mata, 31 vjeç, banues në Tiranë, Fabiol Allushaj, 42 vjeç, banues në Tiranë dhe Mevjol Bilo, 41 vjeç, banues në Tiranë.

Këta shtetas mbrëmjen e së enjtes së 4 nëntorit, në rrugën “Ibrahim Rugova”, janë konfliktuar në ambientet e brendshme të lokalit “Monopol”, duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të njëri-tjetrit, ku si pasojë e të shtënave mbeti i vrarë shtetasi Fabian Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj dhe Eljo Hato.

Ndërkohë, në dosjen hetimore të Prokurorisë së Tiranës, thuhet se rreth orës 20:37 nga dyqan “Monopol” ka dalë shtetasi Ervin Mata, i cili ishte duke folur në telefon dhe sipas deklarimit të dhënë nga Redi Popescu, Ervini del jashtë për t’u takuar me të fejuarën e tij për të shkëmbyer një çelës shtëpie.

Aty ka kaluar një automjet dhe personi, apo personat që kanë qenë brenda tij, sipas dëshmisë së Popescut, kanë ngacmuar të fejuarën e Ervinit.