MENU
klinika

NBA

Warriors kalojnë me lehtësi Oklahomën

17.03.2019 - 09:41

Golden State Warriors vijon të mbajë kryesimin në Konferencën e Perëndimit, falë edhe suksesit të sotëm 110-88 në fushën e Oklahomës, në përballjen e dy prej ekipeve më të mira.

Ndeshje e dominuar nga skuadra kampione, që pati epërsi në fushë gjatë gjithë kohës. Mungesa e Durant nuk u ndje te Warriors, sfidë ku diferencën e bëri Curry, autor i 33 pikëve, mbështetur edhe nga Thompson me 23 pikë.

Një ndeshje e dobët e Westbrook, që realizoi vetëm 7 pikë, ndërkohë që u dallua Paul George, me 29 pikë e 13 rebound, por që mbetën për statistikë.

Fiton edhe skuadra e San Antonio, që mundi 108-103 Portland në sekondat e fundit, duke korur një fitore të rëndësishme për play off.

Ndeshje me luhatje, ku herë udhëhiqte njëra skuadër e herë tjetra, por në fund u shkëputën Spurs. DeRozan me 21 pikë ishte shënuesi më i mirë, ndërkohë që 7 lojtarë të San Antonio realizuan mbi 10 pikë.

Ekipi i Dallas, falë 22 pikëve të Hardaway, mundi 121-116 Cleveland, takim i dominuar nga teksanët, ndërsa Utah Jazz mposhti 114-98 Brooklyn, ndeshje ku diferencën e bëri Mitchell me 24 pikë.

Në sekondat e fundit fiton edhe ekipi i Denver, që mundi 102-100 Indiana, ndeshje me rivalitet dhe emocione deri në fund. Triumfon edhe skuadra e Boston, që mundi 129-120 Atlanta, sfidë ku u dallua Irving, autor i 30 pikëve e 11 rebound.