MENU
klinika

Fotot me ngjyra/ Një histori si në përralla!

81 vite e 1 ditë nga dasma mbretërore që pa Shqipëria

28.04.2019 - 21:58

Dasma Mbretërore

27 Prill 1938

“Herët në mëngjes, u gjenda në kuvertë, pasi s’kisha vënë gjumë në sy gjithë natën. Përpara meje shtrihej Durrësi. Hodha vështrimin mbi muret e lashta romake dhe më tutje ato veneciane, të shpuara nga plumbat turq, dhe prapa maleve, shkëmbinj të lartë graniti gri, që lartësoheshin mbi det. Peizazhi i pazbutur ishte krejt ndryshe nga gjithçka kisha parë deri atëherë.

Na kërkuan të qëndronim në bord derisa të zbarkonin të gjithë udhëtarët e tjerë dhe, kur kalata u boshatis, u shfaq një Mercedes i zi. U përshëndeta nga kolonel Sotir Martini, një ministër i Oborrit, i cili i ndenji pranë Mbretit deri në momentin që vdiq në mërgim në vitin 1950.”

Ky është rrëfimi i Geraldina De Nagy Appony për kontaktin e parë që pati me vendin që do t’i vinte mbi kokë kurorën. Ishte 21 vjeçe dhe e emocionuar. Qe nisur drejt një të panjohure duke besuar në një happy- end.

Në Port e priste adjutanti i Mbretit që e akomodoi si mysafire në familjen Toptani dhe e sqaroi”me takt” se udhëtimi i saj ishte dhe do të mbetej sekret derisa ajo dhe Mbreti të merrnin një vendim. Geraldina u ftua të merrte pjesë në allon e Vitit të Ri 1938.

Gjatë gjithë jetës së saj, në dhjetëra intervista dhe biografi, ajo ka kujtuar gjithnjë momentin e parë kur u gjend përballë me atë që do të bëhej burri i ardhshëm i saj:

“Më dridheshin këmbët dhe nuk shikoja asgjë. Isha jashtë mase e frikësuar. Dhoma ishte aq e gjatë, sa dukej e pafund dhe unë doja vetëm të zhdukesha. Befas, u gjenda ballë për ballë me një fytyrë të hijshme, një burrë i gjatë, pa të meta, i veshur me uniformën e bardhë të kolonelit të përgjithshëm të ushtrisë. Ishin pikërisht sytë që i vura re të parët, sy depërtues bojëqielli.

Kisha praktikuar një përkulje si ato që mësojmë në orët e kërcimit, por e harrova nga hutimi dhe thjesht bëra një përkulje të lehtë. Mbreti menjëherë më ngriti me një buzëqeshje tërheqëse, më falenderoi për vizitën në vendin e tij dhe më pyeti nëse udhëtimi kishte kaluar mirë”.

Geraldina nuk e dinte se pavarësisht fshehtësisë, lajmi për mbërritjen e saj kishte intriguar tej mase kryeqytetin. Pothuajse i gjithë oborri, njerëzit me ndikim dhe diplomatët e dinin që kishte ardhur me aprovimin e Mbretit dhe ishte kandidatura kryesore për t’u bërë Mbretëreshë e Shqipërisë.

Mbreti qe aty,së bashku me princeshat që ai ia prezantoi njëra pas tjetrës. Geraldina e kujtonte gjithnjë atë moment:

“Asnjëherë nuk e largoi vështrimin nga unë, ndërsa më ofroi një gotë shampanjë. Gishtat tanë u prekën dhe në atë çast dritat u vagëlluan. Ishte pikërisht mesnatë dhe kështu e donte zakoni shqiptar. Ngaqë isha në angështi, e lëshova gotën, e cila u thërrmua në mijëra cifla kristalesh të vogla.

E ndjeva se u zbeha në fytyrë, por Mbreti qeshi. Ciflat sjellin fat,- tha ai në gjermanisht dhe më ra në dorë si për të më siguruar. Jehona e dymbëdhjetë tik-takeve të mesnatës ende nuk ishte fashitur, kur një valë e fortë duartrokitjesh dukej se do ta shembte dhomën. Nga të gjitha anët dhe në të gjitha gjuhët u dëgjua thirrja: Fat të bardhë!

U ndjeva si asnjëherë më parë. Kisha rënë në dashuri.”

Ishte viti 1938, viti i martesës së Mbretit Zog I me Mbretëreshën Geraldinën. Geraldina nuk iku më nga Shqipëria që atë ditë. Fejesa u mendua të shpallej në ganar dhe martesa në prill. Më 25 janar 1938, ambasadori britanik në Durrës, njoftonte ministrin e Jashtëm Anthony Eden:

“Kontesha Apony ka ardhur në Tiranë në pjesën e fundit të muajit dhjetor. Më 31 dhjetor Mbreti Zog vallëzoi me atë në vigjilje të Vitit të Ri në mbrëmjen e organizuar në oborrin mbretëror. Kur u takova me ministrin e Jashtëm Shqiptar në datën 24 janar, ai pohoi fejesën e Mbretit Zog me Konteshën Apony. Mendohet se shpallja zyrtare do të jepet brenda pak ditësh.”

Fejesa u shpall më 31 janar 1938. Shpallja u bë në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare e thirrur me kërkesën e vetë Mbretit Zog. Kushtetuta e Shqipërisë, parashikonte që kërkesa për fejesën e Mbretit të kalonte për miratim në dy Dhomat e Parlamentit. Salla ishte e mbushur plot dhe në llozhën kryesore qëndronin motrat e Mbretit. Kryetari i Parlamentit njoftoi se të dyja dhomat e kishin aprovuar fejesën dhe se Geraldina mund të bëhej Mbretëreshë e Shqipërisë.

Sipas biografes së Geraldinës, atë mbrëmje, Geraldina bëri prezantimin e parë të plotë me familjen e dhëndrit:

“Në darkë, Geraldina kishte veshur një fustan mëndafshi të hollë, në ngjyrën e safirit, të cilin e kishte zgjedhur Mbreti në Uorth të Parisit, si surprizë për të. Gishti i unazës vezullonte nga një diamant i mahnitshëm katërmbëdhjetëkaratësh ngjyrë bojëqielli të lehtë. Për herë të parë dhe të vetme Mbreti mbante një unazë fejese nga Hungaria, prej floriri, rubini dhe safiri, e cila kishte qenë e gjyshit të Geraldinës, kontit Giula Aponi. Gjashtë motrat e Mbretit përfaqësonin familjen.

Para darkës, Mbreti kishte kërkuar që familja të mblidhej në paradhomë, ku princesha Geraldinë, e zbukuruar, u shfaq përkrah Mbretit.

Jam shumë i lumtur dhe shpresoj që edhe e fejuara ime të jetë e lumtur, foli në gjermanisht me një zë të gëzuar e të pazakontë dhe këto ishin fjalët e tij të vetme rreth fejesës. Duke vazhduar me zërin e tij të butë, shtoi:

Do t’ju isha shumë mirënjohës, nëse do të mbanit disa çaste heshtje për t’u lutur. E di që shpirti i nënës sime është me ne në këto çaste. Bekuar qoftë kujtimi i saj!”

Geraldina kujton se përpara fejesës ishte bërë një tjetër bisedë delikate për lidhjen e tyre. Ajo i kishte kujtuar mbretit diferencën në besimin fetar dhe vështirësinë që në këtë rast i vinte nga kisha:

“E di që mund t’ju dua përgjithmonë, por ju jeni mysliman dhe unë katolike. Si do ta rregullojmë këtë? Asgjë në këtë botë nuk do të më bëjë ta ndryshoj besimin tim fetar.

Mbreti buzëqeshi dhe tha: Edhe unë e kam menduar këtë dhe as që bëhet fjalë që ti të bësh një gjë të tillë. Ne jemi myslimanë europianë dhe kam respekt të madh për kishën tuaj.”

Problemi i parë i martesës sapo kishte dalë. Ishte leja që Vatikani duhet t’i jepte një katolikeje për t’u martuar me një mysliman. Kjo çështje u bë lajm botëror dhe u shtjellua në më shumë se 180 gazeta në gjithë botën. Qysh më 16 shkurt të 1938-ës “The daily telegraph and morning post” i Londrës sqaronte në artikullin me titull “Papa në pritje të garancive nga Mbreti Zog”:

“Siç qe parashikuar, Shikimi i Bekuar nuk i ka dhënë të drejtën Konteshës Geraldinë Appony për lejen për të cilën kishte aplikuar, për t’u martuar me Zogun, Mbretin e Shqiptarëve, që është mysliman.

Një martesë fetare sipas riteve katolike do të solemnizohet përpara martesës civile; dhe fëmijët e dalë nga martesa e Konteshës Geraldinë do të rriten si katolikë romanë. Mbreti Zog deri tani nuk ka marrë asnjë hap për të firmosur këto garanci.”

Me gjasë, diçka ka ndryshuar në negociatat e fshehta, sepse një muaj e ca më vonë, më 22 mars 1938, “Daily mirror”, e Nju -Yorkut shkruante:

Me disa rregullime Vatikani ka lejuar martesën e ardhshme të Mbretit të Shqiptarve, Ahmet Zogu, me Konteshën Geraldina Appony të Hungarisë, njoftoi shërbimin ndërkombëtar të lajmeve nëna e nuses Mme Girauld. “Papa Pius lejoi martesën,- tha ajo – me kushtin që fëmijët e dalë nga martesa të rriten sipas fesë së krishterë.”

Më 31 Mars 1938 në një intervistë me motrat e Zogut që gjendeshin tranzit në hotel “Ritz“ në Londër, Daily Mail kishte dhënë detaje për martesën, ku përfshihej edhe lajmi se do të ishte thjesht një martesë civile.

“Martesa do të bëhet në pallatin e vjetër në Tiranë dhe ajo do të jetë tërësisht civile, e njëjta me çdo martesë civile të çdo vendi tjetër. Pavarësisht se fati i shqiptarëve është mysliman dhe kontesha katolike, kjo procedurë është tërësisht konstitucionale. Për më tej, do të kalohet vështirësia për të marrë aprovimin e Papës. Nuk ka asnjë dyshim që vëllai im dhe mbretëresha e tij do të vizitojnëPapën gjatë muajit të tyre të mjaltit për të marrë bekimin e tij,- tha pricesha Myzejen.”

Po në të njëjtën intervistë Princesha Myzejen kishte sqaruar:

“Ne të treja do të jemi shoqëruese të nuses së bashku me mbesën tonë. Fustanet tona do të jenë të bardha dhe nuk do të vendosim vello. Dasma do të jetë shumë moderne”.

Muajt e fejesës duhet të kenë qenë si një magji për Mbretin Zog po aq sa për Geraldinën. Edhe pse ata kishin 21 vjet diferencë në moshë, Geraldina shprehej se nuk e ndiente këtë në asnjë rast.

Ai u dashurua fort me gruan e re. Nëse ureferohesh sërish raporteve të ambasadorit britanik në Durrës:

“Thuhet se ai ka rënë në dashuri me të, aq shumë sa është gati të përballet me mospëlqimin e palës italiane nëse shfaqet, dhe sipas kolegëve të mi jugosllavë të cilët kanë folur me mua në lidhje me aspektet financiare, do të sakrifikohet edhe një ndihmë financiare italiane, të cilët ishin përgatitur për ta dhënë për marrjen e një nuseje italiane.”

Mbreti filloi të bënte shpenzime marramendëse dhe të pajustifikueshme për gruan e re. Çdo mëngjes Geraldinën e priste një buqetë e freskët me lule dhe një dhuratë. Çdo mbrëmje, kur shkonte në shtrat, gjente dy tufa me lule dhe një surprizë nën jastëk. Bigrafja e Geraldinës që i referohet kujtimeve të saj shkruan: “Me zyrtarizimin e fejesës, Mbreti e mbuloi të fejuarën me stoli të blera tek argjendari Osterisher, nga Vjena.” Vetë Geraldina kujton:

“Një mëngjes, kur unë me Mbretin mbaruam së biseduari, ai thirri një nga oficerët, i cili hyri me një tabaka të madhe plot me kuti. I hapëm një e nga një. Në fillim ishte një diademë që vezullonte nga diamantët, me një gur në qendër, ku ishte gdhendur përkrenarja e Skënderbeut.

Midis gjerdanëve ishte një lidhëse me një diamant të madh. Unë mbeta pa frymë nga ngazëllimi, kur Mbreti zgjodhi një byzylyk me diamante dhe ma vuri në dorë. Pastaj zgjodhi vathë me një diamant që të kombinoheshin me diademën. Pashë një kuti që kishte një zinxhir prej floriri të bardhë me një kryq me diamante. E kisha të vështirë t’ia ndaja sytë. Mbreti e hoqi mënjanë dhe nuk tha asnjë fjalë. E pashë, gjithashtu, të hiqte mënjanë tri kuti të tjera, njëra më e vogël se dy të tjerat.”

Biografja e Geraldinës, vijon:

“Pjesa më e madhe e plaçkave u soll nga Parisi prej vetë Mbretit, i cili kishte shije të hollë dhe i pëlqente shumë të zgjidhte veshjet për Geraldinën. Ai kishte porositur një rrobaqepës të vinte nga Franca për të marrë masat e Geraldinës, ndërsa dy shtëpitë e modës Channel dhe Ëorth, të zgjedhura nga Mbreti, bënë një kallëp me përmasat e saj. Geraldina nuk pati mundësi të këshillohej me askënd, pasi Mbreti zgjodhi personalisht tre fustane mëngjesi, gjashtë fustane pasditeje, tre palë kostume, gjashtë fustane balloje dhe rroba sportive. Nga Maison de Blanc në Paris, ai porositi fustane shumë të bukura për në shtëpi dhe dhjetëra komplete të brendshmesh prej mëndafshi, të stolisura me dantella elegante. Secila veshje kishte këpucët, kapelet, dorashkat dhe çantat e veta të kombinuara, bashkë me çorapet e holla prej mëndafshi. Me të vërtetë që ishte një garderobë që i shkonte për shtat një mbretëreshe.”

Asgjë më shumë sesa shtypi shqiptar dhe ai botëror nuk mund të japë atmosferën që ekzistonte në botë dhe në Shqipëri për këtë dasmë. Por nëse shtypi vendas është i mbushur me lëvdata dhe ditirambe shpesh të mërzitshme, ai botëror është prirur më shumë nga sensacionet, si këto të dyja të marra nga dy gazeta amerikane, “Neë York Herald Tribune”, më 14 prill të 1938-ës me titull, “Regjimi nazist mund të prishë planet për martesën e Zogut. Arrestohet në Vjenë rrobaqepësi joarian”:

“Vjenë, 15 prill. Planet për dy martesat aristokratike kanë hasur në vështirësi në kampin gjerman nëVjenë. Mbretëresha e ardhshme e Shqipërisë mund të mos marrë fustanin e saj të nusërisë.

Hedi Raab, rrobaqepës nga Vjena, i cili bashkë me Chanel de Paris po përgatisin fustanin e nusërisë për martesën e Konteshës Geraldina Appony me Mbretin Zog të Shqiptarëve meë 27 prill, nuk mori dot lejen të shkojë në Tiranë për provat përfundimtare.”

Apo “The Sun” e Baltimores, më 24 prill të 1938-ës me titull, “Martesa e Zogut për ndalimin e bisedimeve italiano- franceze”:

“Negociatat e marrëveshjes italiano-franceze do të pezullohen deri sa Ministri i Jashtëm italian, Konti Galeazzo Ciano, të kthehet të enjten e ardhshme nga martesa midis Mbretit Zog të Shqiptarëve dhe Konteshës Geraldina Appony.

Meqenëse, vetë Konti Ciano drejton negociatat për Italinë, nuk pritet ndonjë e re, derisa ai të kthehet nga Tirana, kryeqyteti shqiptar, ku do të zhvillohet të mërkurën ceremonia e Dasmës Mbretërore.

Konti Ciano do të jetë një nga dëshmitarët zyrtarë të Monarkut.”

Dasma nisi më 23 prill, me një pritje që Mbreti dhe Mbretëresha e ardhshme dhanë për trupin diplomatik dhe për gazetarët e huaj që kishin mbërritur në Tiranë.

Shpenzimet e dasmës nuk u mësuan kurrë. Gazeta “Shtypi” e datës 24 prill të 1938-ës, raportoi në faqen e parë: “Banka Kombëtare vuri në dispozicion të Sovranit 10.000 franga ari/me rastin e martesës së tij”. Por shuma zyrtare ishte shumë më e vogël sesa ajo që derdhën individë dhe kompani private për këtë rast. Duket se pagesa tek Mbreti u bë një lloj manie, siç dëshmojnë këto tituj të shtypit shqiptar: “Shoqëria “SITA” vë në dispozicion të N.M.T. Mbretit shumën prej 5000 fr. ari.” (Java, 1938, nr.46, 18 prill, f.12). “Shoqëria e Elektrikut vuri në dispozicion të L. M. T. Mbretit 15. 000 fr. ari me rastin e martesës së tij. Shoqëria e Selenicës fr. ari 20. 000 dhe Shoqëria E. i. A. A fr. ari 1000” (Gazeta e Korçës 1938, nr. 2943, 23 prill, fq. 4).

Dasma u bë eveniment botëror. Hotelet e paktë të kryeqytetit qenë rezervuar për të ftuarit e Mbretit dhe 79 fotografët e gazetarët e ardhur nga e gjithë bota, përfshi Afrikën e Jugut, Argjentinën dhe Japoninë. Dhuratat zunë vendin kryesor në shtypin e huaj. Regjenti, Horti, i Hungarisë pati ofruar një pajton tërhequr nga dy kuaj Lipizan, Franca, një servis prej porcelani Sevre, Musolini disa vazo që dikur i përkisnin Napoleonit, ndërsa Mbreti Viktor Emanuel një statujë antike prej bronxi. Dhurata që binte më shumë në sy ishte ajo e bërë nga kancelari i Gjermanisë, Hitler, një Mercedez sportiv kabriole të kuq. Sipas “Corriere della sera” ekzistonte vetëm një ekzemplar tjetër i këtij modeli, ai i Hitlerit. Në fakt, gazeta italiane gabonte. Mercedez – Benzi që i ishte dorëzuar Mbretit Zog, më 19 prill të 1938-ës, ishte model 540K kabriolet, i njëjtë me atë që Hitleri i kishte dhuruar po atë vit për martesën, Mbretit Faruk të Egjiptit dhe liderit sovjetik, Stalinit, me rastin e 60 vjetorit të lindjes. Makina ishte e kuqe, me veshjen e brendshme bezhë, me stemën mbretërore të stampuar në të dyja dyert. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, Zogu e mori atë me vete në Britani. Ajo figuron e regjistruar në Londër me targën ENX 957, por Mbreti doli me të vetëm një herë. Në vitin 1944 nën shtytjen e Geraldinës, ai ia dhuroi makinën Kryqit të Kuq Britanik dhe ky i fundit, ia shiti një personi privat në vitin 1946. Për herë të fundit figuron pronë e një koleksionisti makinash, që në vitin 1987 e vendosi në një muzeum në Ilinois për 3 vjet. Më pas, u shënua se e mori i zoti dhe nuk dihet se ku gjendet më. Mendohet se është pjesë e koleksionit të makinave të stilistit amerikan Ralph Lauren. Simotra e saj identike, makina e Mbretit Faruk, u shit në vitin 2006 në një ankand në Monte Carlo për shumën 921 mijë Euro!

Siç ndodh rëndom në këto raste, shtypi botëror dhe diplomatët e huaj i kushtuan mjaft vend dhuratave. Time shkruan:

“Kur mbërritën dhuratat, u bë e qartë se komplikimet ndërkombëtare nuk patën kaluar pa u vënë re. Adolf Hitleri i dërgoi një Mercedes-Benz sportiv. Musolini i dërgoi katër vazo bronzi, që dikur i përkisnin Napoleonit, një statujë dragoi erdhi nga Mbreti Vittorio Emanuele, tapete orientale nga diktatori Metaxas i Greqisë dhe një skrivani e përpunuar e shekullit XVII nga Generalissimo Franco i Spanjës”

Geraldina pa vetëm pak dhurata, pasi shumica u depozituan në kazermat pranë pallatit që po ndërtohej dhe ku çifti mbretëror nuk u vendos kurrë. Ato mbetën aty shumë kohë dhe u morën më 8 prill të 1939-ës nga ushtria pushtuese italiane. Pas vitit 1950 Geraldina hapi një çështje të gjatë gjyqësore në Itali për të marrë mbrapsht dhuratat, ose vlerën e tyre sipas listës që kishte në dispozicion, por nuk mori asgjë.

Dita e dasmës ishte më 27 prill. Geraldina kujton se ajo u zgjua në orën gjashtë, pavarësisht faktit që kishte rënë të flinte shumë vonë. Veshja e dasmës ishte zgjedhur sërish nga Mbreti. Ajo veshi një fustan të qëndisur me perla dhe diamante të bërë nga Uorth, posaçërisht për të. Në orën 11.00 nusja hyri në sallën e nderit të pallatit. Shtypi amerikan i kushtoi reportazhe të gjata dasmës si dhe atmosferës së saj, si ky i “The Neë -York Sun” i datës 27 prill 1938, i titulluar: “Shqipëria bëhet me Mbretëreshë”.

Tiranë, Shqipëri 27 prill, (A.P.) Në një ceremoni qytetare e dalluar për thjeshtësinë malësore, Kontesha Geraldina Appony, nëna e së cilës është amerikane, u bë Mbretëresha e parë e shqiptarëve, kur u pranua në martesë nga Mbreti Ahmet Zogu.

Një breshëri prej 101 të shtënash, jehonat e këmbanave të Kishave dhe thirrjet e muezinëve muhamedanë, që luteshin nga minaretë, sinjalizuan martesën. Ceremonia u mbajt në një atmosferë gjysmë perëndimore e gjysmë orientale.

Ata u deklaruan burrë e grua nga Hiqmet Delvina, nënkryetar i parlamentit, pasi ai kishte lexuar kërkesat e Kodit Civil për martesën para 200 të ftuarve dhe anëtarëve të Familjes Mbretërore.

Pra, Mbretëresha Geraldina iu bashkëngjit Mbretëreshës Farida të Egjyptit, si Mbretëreshat më të reja të Botës. Mbretëresha Geraldina ishtë 22 vjeç dhe Mbretëresha Farida ishtë 17 vjeç. Mbretëresha Geraldina ishtë e vetmja Mbretëreshë që përmban gjak amerikan. Ceremonia u zhvillua në një aneks të Pallatit Mbretëror. Muret qenë mbushur me armë antike shqiptare.

Nusja, pak më e gjatë se Mbreti, shkëlqente në një fustan nusërie prej sateni të bardhë ,Chanel, thurur me perla dhe fije argjendi në formë lulesh. Bishti i fustanit të saj mbretëror ishte i gjatë. Nga një vello prej tyli të bardhë varej një diademë me lule portokalli.

Mbreti veshi një uniformë parade, mbushur me dekorata, si Kryekomandant i Ushtrisë.

Mijëra malësorë të veshur në mënyrë piktoreske – gegë nga veriu dhe toskë nga jugu – përshëndesnin Mbretin, që nga një kryetar fisi u bë Monark dhe me një Mbretëreshë. 50 mijë nxënës, të veshur me kostume kombëtare, binin në sy me xhandarët dhe përfaqësuesit zyrtarë nga çdo cep i Shqipërisë.

…Pasi morën urimet nga Konti Ciano dhe të ftuarit e tjerë të rëndësishëm, Mbretëresha kapi për krahu Mbretin dhe së bashku dolën përpara turmave të entuziamuara që qëndronin para Pallatit Mbretëror.

Edhe mbasadori britanik në Tiranë vijoi raportimet e tij me një stil shumë gazetaresk. Më 30 prill ai i shkruante ministrit të Jashtëm Eden:

“Kam nderin të raportoj se martesa e Mbretit Zog me Konteshën Appony ndodhi në Pallatin e Tiranës në datën 27 prill. Martesa u bë në një sallon që ishte shtuar gjatë festimeve të pavarësisë, e improvizuar, por me mjaft hapësirë.

Ceremonia ishte tepër e shkurtër. Një detaj ishte butësia dhe kthjelltësia e fjalës“po” nga kontesha në gjuhën shqipe. Dëshmitarët e dhëndrit ishin Princi Abid i Turqisë dhe Konti Çiano, ndërsa të nuses ishin kushëriri i saj, Konti Karl Appony si dhe ministri hungarez. Gjithçka nga këto ishin organizuar në mënyrë ekselente. “

Por, duket se ambasadori ndryshon mendim për pjesën tjetër të dasmës kur raporton:

“Pasdite Mbreti dhe Mbretëresha shtruan drekë për 120 të ftuar duke përfshirë edhe krerët e misioneve të huaja me gratë e tyre. Përgatitjet linin për të dëshiruar, pasi të ftuarit u ulën rrëmujshëm si dhe kishte mungesë menyje. Më vonë ajo u zhvendos në tri dhoma të tjera pasi ra një shi i rrëmujshëm i cili kishte penetruar në tavan. Tirana kaloi një ditë festimesh të mëdha atë ditë. E njëjta gjë edhe në Durrës.

Në mbrëmje u kthyem sërish në Tiranë në një pritje të organizuar nga Kryeministri Kota në Ministrinë e Jashmte. Një detaj vlen të thuhet. Përfaqësuesi i Gjeneral Frankos ishte ulur afër- afër me gruan e ambasadorit sovjetik. Ai kishte kërkuar që një gjë e tillë të mos ndodhte por madje më keq pasi në darkë e gjeti veten përkrah vetë ambasadorit sovjetik.”

Dy javë më pas, më 9 maj, revista më e madhe amerikane, “News week”, i kushtoi një reportazh po kaq interesant dasmës, me titullin: “Shqipëria kënaqësi dhe dëshpërim. Fatkeqësia ajrore shënon martesën e Zogut me Geraldinën”, ku jepte edhe një lajm të trishtë:

”Abdikimi i Eduartit V në dhjetor 1936 e la Mbretin Zog I i Shqiptarëve si beqarin e vetëm në Europë. Shqipëria festoi javën e shkuar, me festime 3-ditore, martesën e Mbretit mysliman dhe Konteshës katolike romane Geraldinë Appony…

…Dhurata e Zogut për Mbretëreshën e tij – një kurorë diamantesh, vendosur mbi kurorën shqiptare, një byzylyk, një varëse – u zgjodhën nga bizhuteritë e dërguara në Tiranë nga firmat e Parisit dhe të Vjenës. Të shtunën ai vendosi t’i kthente bizhuteritë që nuk i bleu, me vlerë 1.052.000 dollarësh, me një avion. Avioni u përfshi nga furtuna dhe u përplas në malin Maranola të Apenineve. Barinjtë gjetën trupat e 19 pasagjerëve, por pak gjurmë të bizhuterive. Diamantet dhe gurët e tjerë të çmuar u dogjën, platini dhe floriri u shkrinë. (Kthimi ishte i siguruar.) Midis pasagjerëve ishin ministri shqiptar në Romë, gazetarë, që përshkruan martesën dhe amerikanja, zonja Helen Lindhein e Neë- Yorkut.

Geraldina kujton se rrëzimi i avionit ku ishin dhe disa prej dasmorëve ,ishte si një shenjë e keqe që ajo nuk e harroi asnjëherë. Ngjante më shumë si paralajmërim për lumturinë e tyre të shkurtër në Shqipëri. Shtypi italian raportonte deri në mes të viteve ’70 se banorët e zonës dhe të ardhur, vijuan të kërkojnë për disa dekada në zonën rreth vendit ku u rrëzua avioni, gurët e çmuar të firmës ”Cartier” që po udhëtonin me një valixhe speciale. Në asnjë rast nuk u raportua që të ishte gjetur diçka me vlerë.

Çifti i sapomartuar udhëtoi në mbarim të ceremonive nga Tirana në Durrës me një Mercedes të hapur. Mijëra vetë kishin dalë në anë të rrugës për të parë Mbretëreshën 21- vjeçare. Geraldina kujton se ata u ulën në verandë për një kafe, përpara se Mbreti t’i tregonte dhomën e madhe të pritjes të mobiluar sipas stilit klasik, dhomën e ngrënies sipas stilit perandorak të Napoleonit dhe dhomën e gjumit në stilin e Maria Terezës. Pallati veror sapo ishte restauruar me rastin e martesës dhe Mbreti Zog mburrej për tavanin e gdhendur, larë në ar. Në të qenë shtruar sixhade të shtrenjta, pjesë e koleksionit të rrallë të Mbretit. Sixhadet, qenë bashkë me armët një prej pasioneve të tij.

“Nusja zgjodhi një këmishë nate mëndafshi të bardhë me mëngë të gjata me dantella si këmbanë dhe priste e tmerruar Mbretin në shtratin me tendë.” – dëshmon biografja e Geraldinës.

Pikërisht këmisha e natës u bë incidenti i fundit i dasmës. Të nesërmen në mëngjes ajo nuk gjendej më nga shërbyesja e Mbretëreshës. E shqetësuar, kjo e fundit, ia referoi këtë bashkëshortit. Përgjigjja ishte befasuese:

“Të kam folur shumë për mënyrën se si i respektojmë ne femrat, veçanërisht nënat. Ishte e domosdoshme që ti të ishe e virgjër dhe çdo vajzë e huaj që vjen për martesë, duhet t’i nënshtrohet një vizite mjekësore. Unë mburrem me faktin se kam aftësinë t’i njoh njerëzit dhe më mjaftoi vetëm të shikoja sytë e tu. Nuk të thashë asgjë për këtë vizitë, pasi e dija që nuk do të kishe pranuar. Por, në të njëjtën kohë, më duhej t’i jepja prova Parlamentit, kështu që e mora këmishën tënde të natës dhe ia dërgova kryetarit.”

Këmisha e natës kishte shërbyer si provë shtetërore e virgjërisë së Geraldinës. Pavarësisht kësaj, siç dëshmon edhe vetë, ajo ishte tejet e lumtur atë natë, natën që konkludoi qëndrimin e saj thuajse 4- mujor në Shqipëri.

“Po, e dashuroja shumë! Më dukej shumë i pashëm me atë lëkurën e bardhë, flokët e hapur, me sytë bojëqielli, me karakterin e tij të drejtpërdrejtë dhe imponues. Kurse duart, me gishtat e gjatë e të hollë dhe thonjtë e trajtuar me kujdes, bënin kontrast me jetën e vështirë që kishte bërë si ushtar. Përpos, buzëqeshjes së tij të mrekullueshme, më shumë përshtypje më bëri butësia e tij. Gjatë atyre javëve para martesës, më llastuan aq shumë, sa kurrë herë tjetër në jetë. Më dukej sikur po jetoja në përrallat e “Një mijë e një netëve”.”

Zogu dhe Geraldina jetuan të pandarë për 23 vjet, derisa ai ndërroi jetë në Paris në Prill 1961. Geraldina vdiq në Tiranë në Tetor 2002. Në fund të jetës, i ishte plotësuar amaneti i vetëm, të vdiste dhe të varrosej në vendin që i kishte vënë mbi kokë kurorën.

Në vitin 2014, Revista “The Richest” e shpalli atë mbretëreshën e pestë më të bukur në historinë e martesave mbretërore. Pas Mbretëreshës Gres Kelli, të Monakos, Mbretëreshës Rania të Jordanisë, Mbretëreshës Jetsun Pema të Bhutanit dhe Mbretëreshës Soraja të Iranit. Për të u shkruajtën shumë libra dhe përcaktimi më i shpeshtë që haset është: “Trëndafili i bardhë i Budapestit”!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Letër dashurie e Oscar Wilde për Lord Alfred Douglas

“Këtij vendi të bukur i mungon veç ti”

Mark Twain, emri i madh i letërsisë amerikane

”Unë erdha në ketë botë me Kometën Halley”

Me histori disa mijëra vjeçare

Xhubleta shqiptare në UNESCO