MENU
klinika

Primet bruto mbi 3,9 miliardë lekë

Aksidentet, kompanitë paguajnë 12 milionë euro dëme

30.04.2019 - 19:45

Kompanitë e sigurimit kanë paguar 12 milionë euro dëme në periudhën janar-mars 2019.

Kjo shifër është 11.82 për qind më e lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Statistikat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për tregun e sigurimeve në 3 mujorin e parë të vitit tregojnë se të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar – mars kapën vlerën mbi 3,9 miliardë lekë, ose 11.78% më shumë se në periudhën janar – mars 2018.

“Gjatë periudhës janar – mars 2019, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 276,006 me një rritje 5.68% krahasuar me periudhën janar – mars 2018. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.78 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 7.25% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.97%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 41.93% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 58.07% të totalit të tregut”, vlerëson AMF.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Ashtu siç ndodh tradicionalisht primet e sigurimit të detyrueshëm motorrik kanë dominimin. Gjatë periudhës janar – mars 2019 këto prime arritën rreth 2,305 milionë lekë, ose 4.29% më shumë se në periudhën janar – mars 2018.

“Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar – mars , pati një rritje prej 3.44% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 3.71% krahasuar me periudhën janar – mars 2018.

Produkti Karton Jeshil në periudhën janar – mars pati një rritje prej 11.97% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje e numrit të kontratave prej 55.03% krahasuar me periudhën janar – mars 2018.

Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar – mars , pati një ulje 18.00% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar – mars 2018. Ndërsa numri i kontratave u ulje me 17.14%”, raporton AMF.

Sigurimi Vullnetar

Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar – mars 2019 arritën rreth 1,664 milionë lekë, 24.12% më shumë se në periudhën janar – mars 2018. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 0.5% krahasuar me periudhën janar – mars 2018.

“Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar – mars 2019, patën rritje me 22.08% kundrejt periudhës janar – mars 2018.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar – mars 2019 siguruan mbi 0.579 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 76.30%, të pasuara nga sigurimi i garancisë me 13.10% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar – mars 2019, vihet re një ulje prej 26.41% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 6.18% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar – mars 2018.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar – mars 2019, arritën në rreth 0.353 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 16.29% në krahasim me periudhën janar – mars 2018.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar – mars 2019, arritën rreth 0.288 milionë lekë, ose 19.62% më shumë se në periudhën janar – mars” sqaron AMF.