MENU

Nga Shpëtim Nazarko

As kaluar e as në këmbë, as veshur e as zhveshur…

23.04.2019 - 16:29

Shpjegimi më i thjeshtë për tollovinë që ka shkaktuar sjellja e opozitës kohët e fundit, duket se lidhet me një përrallë të vjetër. Në libër ja veshin racës sonë fabulën, por edhe në mos qoftë vërtet e saj, i shkon shumë për shtat.

Kohë më parë, pleqtë i vrisnin, e në fshat vetëm një mbante të atin gjallë dhe të fshehur nga sytë e dynjasë. Ndihma e babait iu desh kur në fshat vendosën të zgjidhnin kryetarin e ri.

E për ta zgjedhur atë, vunë ca kushte ku më interesanti ishte:

-Ai që do të zgjidhet kryetar në mbledhjen e nesërme, duhet të vijë as veshur dhe as zhveshur dhe as kaluar e as në këmbë.

Plaku e mësoi të birin kështu:

Nesër, do të shkosh në mbledhje hipur në dashin e kopesë, por këmbët do ti tërheqësh zvarrë. Kështu nuk je as kaluar dhe as në këmbë. Këpucët ti veshësh, por shojet ti presësh. Kështu nuk je as mbathur dhe as zbathur…

Natyrisht, plaku kishte të drejtë. Djali fitoi dhe pas kësaj kohe, pleqtë i mbajtën gjallë …

Duket se opozita është në gjendjen identike me përrallën dhe e mban gjallë plakun e shtëpisë.

Pak kohë më parë, ajo e braktisi Parlamentin duke u zhveshur kështu nga mandatet e përfaqësimit. Po pak më vonë, një pjesë e vogël e deputetëve të listës së dy partive kryesore opozitare, apo ndryshe PD dhe LSI, vendosën të hyjnë në Parlament. Pas mallkimeve të çastit, që normalisht do të pengonin rrjedhjen e mëtejshme, ndodhi që vetë partitë e mësipërme, jo fare hapur, duket po plotësojnë vendet e mbetura bosh.

Nuk dihet kush është shkaku. Ka mundësi faktori ndërkombëtar, të cilit vetëm në formë nuk i vihet veshi për çfarë thotë, të ketë imponuar një zgjedhje të tillë. Unë vetë besoj se jemi në konditat e përrallës ku plaku jep orientimet për ditën e zgjedhjeve.

Duke futur të tjerë në vend të atyre që ikën, opozita plotëson kushtin “as kaluar e as në këmbë as veshur dhe as zhveshur”.

“Ne jemi në Parlament u thotë ndërkombëtarëve. Ne nuk jemi në parlament u thotë përkrahësve fanatikë”.

Si janë thua? Veshur apo zhveshur?

Deputetët e rinj janë dhe nuk janë të PD-së. Që janë kuptohet, ngase nuk marrin dot vendime as mohuese, as aprovuese nga ajo e linjës zyrtare të partive nga vijnë. Ndërkaq, dalja më vete siç bëri Patozi, nuk lejohet për të tjerët. Këtë demostroi Hajdari…..

Jemi brenda kushtit, që e theu vetëm Patozi, por që nuk i prish punë njeriu. Historia e përsëritur me PAD dikur, dhe Pollon më vonë, tregon se përrenjtë herët a vonë, normalisht derdhen në lumin e fshatit, bile ndonjëherë më me favor se në kohërat e vjetra.. Këtë zanat e kanë kopjuar dhe në Kosovë, etj etj.

Kështu pra, duke zëvëndësuar deputetët e vjetër me të rinj që përfaqësojnë partitë përkatëse, opozita plotëson kushtin e parë, as kaluar dhe as në këmbë. Duke mos lejuar krijimin e partive apo degëzimeve të reja, plotësohet kushti që të mos jemi as veshur dhe as zhveshur…

Folur seriozisht, po dhe respektuar përrallën, zgjedhja që duket se mban erën e plakut të shtëpisë duket se vërtet është brenda lojës taktike. Përralla respektohet në maksimumin e kushteve që tregon.

Po a është e mjaftueshme ajo për të zgjedhur kryetarin e ri të fshatit?

Për ta shndërruar në realitet sa më të prekshëm, opozita vendosi ta pasurojë fabulën. E mbledhur sot në gjithë frontin, ajo vendosi të hyjë në zgjedhje vetëm nëse i plotësohen kushtet. E gjykuar në taktikë, kjo lloj zgjedhje, vazhdon në planin e parë tu komunikojë ndërkombëtarëve, se nuk bëhet fjalë për qëndrimin e një apo dy partive opozitare, por të një fronti të gjërë. Në këtë sens vendimet e tij mbeten të rëndësishme. Mbajtja e radhëve shtrënguar që të mos iki njeri nga vatha është kujdes normal në raste të tilla…

Kryeministri iu përgjigj se kjo është vetëvrasje e padëgjuar. Natyrisht, që u flet të tijëve. Më i rëndësishëm duket përfaqësuesi i OSBE, që thotë se dita për të zgjedhur kryetarin apo kryetarët e fshatrave është caktuar. Kaq dhe pikë!

Natyrisht, të huajt që kanë vite që engledisen nga kjo sjellje e klasës sonë politike nuk hutohen më. I kanë parë, por dhe kur nuk i shohin hapin librat e historisë për të kuptuar se si duhet sjellë me një klasë parapolitike. Kështu që u mbetet i vetmi merak, që palët e zemëruara të mos gjuajnë me gurë në çatinë e tyre, apo të fqinjit përreth. Kanë sjellë njëherë rreth gjashtë ushtri për të na shpëtuar nga marrëzia jonë dhe kjo ishte një mësim i mirë e i përjetshëm për të mos na marrë më seriozisht… Për të tjerat, bakallëm shohim e bëjmë, do thoshin pleqtë e dikurshëm…

Shakatë që po ndodhin, shprehin një të vërtetë që ka kohë që po duket në horizont, gjithnjë e më hapur. Vdekjen e një klase politike, që nuk arriti megjithatë asnjëherë ta meritonte një emër të tillë.

Në një plan të thjeshtë vëzhgimi, kjo klasë politike e majtë dhe e djathtë e ka lënë vendin pa mbrojtje. Nuk ka as sindikata, as grupe të fuqishme ekonomike që të mbajnë ekuilibrat e shtetit. Dhe sa kohë është kështu, njeriut të thjeshtë i duhet të zgjedhë midis Berishës, Metës a Ramës. Në këtë zgjedhje të detyruar prej tridhjetë vjetësh, ku palët janë provuar nga shumë herë, njeriu i varfër e ka të thjeshtë zgjedhjen… Duket se pa ja thënë vetes, pala e opozitës që nuk është në gjendje të prodhojë më asnjë ide, nuk gjen rrugë tjetër, veçse të imitojë kushtet e përrallës mësipër.

Por, ndërkohë që jemi duke shikuar këtë përrallë, problemi mbetet po aty ku ishte. Kush do ta mbrojë vendin? Do të mbetemi duke shpresuar te individi, apo do të kërkojmë të ndërtojmë ato elementët që të mbrojnë realisht?

rama-meta-berisha-konica.al
rama-meta-berisha-konica.al

Një miku im i dëshpëruar me të dy palët, pozitë dhe opozitë më thoshte sot:

-Kam frikë se jemi në ato kushte ku duhet të themi: O Zot kemi një opozitë pa brekë dhe një pushtet pa bereqet.

Nuk është se e ka shumë gabim. Pas një centrimi të shtetit që kishte rënë në humnerë në vitin 2013, Rama dhe të tij-të duhet të kuptojnë se fuqia e individit ka një kohë të përcaktuar në vlerat që jep. Ajo mbaron, kur ai plotëson kushtet që vendi të mos mbrohet prej tij, por nga elementët që e mbajnë të mbrojtur.

Realisht, pra nga sindikatat, apo grupet e fuqishme shoqërore, të cilat bëjnë secili punën e tyre. Kjo është në thelb dhe gjëja më e mirë që ai mund të bëjë. Të tjerat janë “manovra në zunkth.” Nëse vepron ndryshe, shpejt gjendesh në ato kushte ku pas “çdo fitorjeje të re” siç thoshte dikur Hoxha, thela e mishit në pjatë pakësohej vazhdimisht. Apo ndryshe duke përdorur kohën ku jetojmë, pas çdo fitoreje, një pjesë tjetër e popullsisë kërkon tja mbathë nga sytë këmbët…

Duke plotësuar kështu filozofinë e Prudonit që e mbaron veprën e tij me frazën lapidare “Të shpëtojë kush të mundet”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN