Pasi në shkurt, Netflix fitoi tri çmime Oscar me filmin “Roma”, transmetuar në platformën ‘streaming’ vetëm tri javë pas debutimit në kinema, pati kritika për shpërndarjen e statujave të arta.
Në veçanti, disa producentë kinematografikë, mes të cilëve edhe Steven Spielberg, pretendojnë se filmat që transmetohen në “streaming” në ekranin e vogël duhet të garojnë vetëm për çmimet televizive, si Emmy.
Çështja u diskutua në Akademinë e filmit, e cila pas diskutimeve prej disa muajve, votoi dhe vendosi që rregullat ekzistuese për të fituar një Oscar nuk do të ndryshojnë.
Pra, për të fituar një statujë të artë, kushti i vetëm i nevojshëm është që filmi që kandidon të jetë projektuar të paktën shtatë ditë në një nga kinematë në Los Angelesit.
Në faqen e Netflix në Twitter kanë shkruar se e adhurojnë kinemanë, por në të njëjtën kohë projekti i tyre është më i arritshëm edhe për ata që nuk kanë mundësi ekonomike ose për ata që i kanë larg sallat.
Akademia la një dritë shprese për producentët kinematografikë që e mendojnë si Spielberg, duke bërë të ditur se rregullorja mund të rishikohet vitin e ardhshëm.