MENU

Uefa Champions League

Barcelona fiton me vuajtje në Manchester, Juve e Ajax në ‘paqe’

10.04.2019 - 23:41

Barcelona ka arritur të marrë një fitore mjaft të rëndësishme në Angli ndaj Manchester United. 

Katalanasit triumfuan me rezultatin minimal 0-1 ndaj “djajve të kuq” në “Old Traford” në një ndeshje ku nuk munguan polemikat.

Barcelona e nisi më mirë ndeshjen duke kërcënuar vazhdimisht portën e De Gea. Në minutën e 12′ pas një krosimi në zonë nga Messi, Suarez goditi me kokë duke dërguar topin në rrjetë me devijimin aksidental të mbrojtësit Luke Shaw. Fillimisht gjyqtari anësor sinjalizoi pozicion jashtë loje, por pas rishikimit në sistemin VAR, goli u quajt i rregullt dhe katalanasit shpërthyen në festë.

Në minutën e 29′ Smalling bën një ndërhyrje të ashpër ndaj Messit duke e gjakosur argjentinasin, i cili mori mjekimin e shpejtë por pa patur ndonjë dëmtim serioz.

Në po të njëjtin aksion lojtarët e Manchester United pretendojnë për penallti pas rrëzimit të McTominay në zonë, por arbitri lejoi vazhdimin e lojës.

Pavarsisht tentativave të ndryshme nga United, pjesa e parë u mbyll me avantazhin e katalanasave.

Në pjesën e dytë United shkoi shpesh në portën e Barcelonës por Ter Stegen dhe mbrojtja katalanase u treguan të vëmendshëm. Solskjaer bëri disa zëvëndësime duke tentuar të ndryshonte rezultatin por pa sukses. ‘Djajtë’ nuk shfrytëzuan siç duhet rastet dhe rezultati ngeli i pandryshuar.

Barcelona mori një fitore mjaft të rëndësishme duke hedhur një hap drejt kualifikimit në fazën tjetër.

Juventus dhe Ajaks u ndanë në barazim me shifrat 1-1.

Bardhezinjtë tentuan të surprizonin vendasit me disa tentativa në minutat e para por pa mundur të shënojnë, Edhe Ajaks nga ana tjetër u kundërpërgjigj me disa kundërsulme ku kërkoi avantazhin, por gardiani i Szczesny u tregua i vëmendshëm duke mbrojtur portën.

U desh të pritej minuta e 44′ teksa Juventus shfrytëzoi maksimalisht një kundërsulm ku pas një harkimi të bukur në zonë nga Cancelo, Cristiano Ronaldo shënoi me kokë duke kaluar në avantazh “Zonjën e Vjetër”.

Pjesa e Parë u mbyll me avantazhin e bardhezinjve. Menjëherë sapo filloi e dyta, sulmuesi i Ajax, Neres i rrëmbeu një top Cancelos duke u futur në zonë dhe me një goditje të bukur shtangu portierin Szczesny-n duke barazuar rezultatin.

Pjesa e dytë e gjeti Ajaxin të gjithin në sulm duke tentuar avantazhin, por pa sukses. Juventus rastin më të mirë e pati në minutën e 84′ ku Douglas Costa depërtoi në zonë por goditja u ndal në shtyllë.

Rezultati ngeli i barabartë dhe gjithçka ngelet e hapur për në Torino, por bardhezinjtë duken disi më favoritë sepse përveç faktit që luajnë në shtëpi, i ndihmon dhe goli në fushën kundërshtare.