MENU
klinika

Paralajmërimi

Basha premton konfiskim pasurish, rrëfen synimin e sistemit të ri politik

07.04.2019 - 11:14

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka nisur sot turin e takimeve në Shqipëri, për të zhvilluar një bashkëbisedim me banorët e Rrogozhinës.

Gjatë fjalës së tij kreu i PD-së paralajmëroi konfiskim të parave të atyre që lideri i opozitës i konsideron oligarkë që zhvatin paratë e shqiptarëve.

Basha tha se sistemi i ri politik synon të varrosë fenomenin e Edi Ramës.

“Oligarkët shushunja, këta armiq të interesit publik, e di fare mirë se çfarë i pret. PD ka një plan për nxjerrjen e vendit nga kriza. Analizimin e kontratave korruptive dhe kthimin e këtyre parave tek populli shqiptar.

Pasuritë e vëna mbi gjakun dhe djersën tuaj do të konfiskohen. Kontratat korruptive do të anulohen duke nisur me kontratat e Arben Ahmetajt që helmojnë fëmijët e shqiptarëve, duke filluar me koncesionet e rrugëve, miliona të shqiptarëve që përfundojnë në xhepat e 5 njerëzve.

Beteja jonë është betejë për të varrosur një herë e mirë fenomenin e Edi Ramës, fenomenin e politikanit batakçinj, politikanit që futet në xhepat tuaj për të pasuruar një grup njerëzish. Kjo do të parandalojë që asnjë njeri, asnjë grup dhe asnjë forcë politike të marrë peng demokracinë në Shqipëri. Beteja jonë do të bëjë të mundur ndryshimin e sistemit.

Drejtësia do të çojë në burg politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin do të jetë ndryshimi i parë i sistemit.

Ndryshim sistemi do të thotë që deputetët e ardhshëm nuk do të caktohen më në mënyrë misterioze.

Ata do ta kenë fatin të lidhur me ju. Ju do të jeni ata që do të përcaktoni me votë deputetët e ardhshëm të Kuvendit të Shqipërisë. Deputetët e ardhshëm nuk do të jenë njerëz, që do ta lidhin fatin e tyre me kryeministrin e ardhshëm”, tha kreu demokrat.