Dy persona janë ndaluar sot nga policia si të lidhur me grabitjen në aeroportin e Rinasit.
Sipas informacioneve, dy personat janë ndaluar në qytetin e Elbasanit dhe i përkasin moshës 28 dhe 29 vjeç. Njëri prej tyre u arrestua në lagjen ”28 Nentori” ndërsa personi tjetër në periferi të qytetit.
Ata janë shoqëruar deri në orët e para të mëngjesit dhe janë marrë në pyetje.
Këta dy persona të cilët janë punonjës të një servisi në qytetin e Elbasanit, i cili ndodhet në afërsi të Metalurgjikut, dyshohet se kanë kryer modifikimin e furgonit me të cilin e grabitën paratë, me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”. Mes të hetuarve nuk përjashtohet edhe përfshirja e një femre, e cila ka pasur një rol ndihmës për bashkëpunëtorët dhe grabitësit e dhunshëm të aeroportit më 9 Prill.
Policia dhe prokuroria kanë në vëmendje persona të tjerë me të shkuar kriminale.
Pista e dytë e policisë është për një grup kriminal që operon në zonën e Fushë-Krujës.