Bashkimi Europian duhet ta refuzojë skenarin e kahershëm të rivizatimit të kufijve territorialë të Kosovës dhe Serbisë mbi baza etnike.
Një grup ekspertësh të Nismës Europiane për Stabilitet kritikojnë figurat kryesore politike të Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë për qëndrimet e tyre në lidhje me kufijtë.
Përmes citimeve të ndryshme, ata fajësohen se po sjellin si risi një ide të trumbetuar nga partitë radikale serbe prej fillimviteve 90, kohë kur vendi drejtohej nga presidenti famëkeq, Slobodan Milosheviç.
“Bashkimi Europian duhet menjëherë ta mbyllë kutinë e Pandorës për bisedime të mëtejshme mbi formatimin e kufijve të Ballkanit, ndërsa Serbisë i duhet thënë prerazi që të ndalë kërcënimet e papranueshme për ndërhyrje ushtarake në veri të Kosovës.”
Në raportin 35-faqësh me titull “Hipnotisti Aleksandër Vuçiç”, propozohet që Ballkanit Perëndimor t’u ofrohen plane konkrete se si mund ta forcojnë gradualisht kohezionin mes tyre.
“Duke qenë se anëtarësimi i plotë mbetet i pamundur për çdo vend përpara 2025-ës, dhe se i gjithë Ballkani Perëndimor do të jetë në Shengen pesë vite më pas, kufijtë mes vendeve do të jenë thuajse të padukshme. Përmbushja e standardeve dhe respektimi i minoriteteve, jo ndryshimi i kufijve, duhet të jenë forca transformuese në rajon.”
Ideja e korrigjimit të kufijve tokësorë mbi baza etnik në këmbim të normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe u risoll në vëmendje fillimisht nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç, për t’u mbështetur një vit më parë nga homologu i tij i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri shqiptar Edi Rama, madje edhe zyrtarë të lartë të SHBA-së.