Rikonfirmohet kampion! Peshëngritësi Briken Calja ka fituar medaljen e artë në stilin e shkëputjes në peshën 73 kg, në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që po zhvillohet në Batumi të Gjeorgjisë.
Ai triumfoi në stilin e shkëputjes, ku e mbylli garën me 156 kg pas tri provave.
Në provën e parë, Calja realizoi me sukses 152 kg, ndërkohë që shtangisti nga Shtërmeni nuk dështon edhe në provën e dytë, ku ngre lart me sukses 156 kg.
Në provën e tretë shtangisti kuqezi tentoi 160 kg, për të vendosur rekord të ri europian, por pa sukses. Gjithsesi, ai e kishte siguruar të artën.
Briken Calja është kampioni i trefishtë i Europës, pasi një vit më parë fitoi 3 të arta: Në shkëputje, shtytje dhe dygarësh.
Edhe këtë vit Calja e nis mbarë Europian e peshëngritjes, duke fituar medaljen e parë të artë. Ndërkohë që mund të realizojë sërish të njëjtin rezultat si vjet, pasi pas pak do të garojë në stilin e shtytjes.