Bazuar në disa të dhëna zyrtare të tatimeve, vihet re se deri në fund të 2018-tës, borxhet për sigurimet e papaguara kapën vlerën e 13.8 mld lekëve.
Gjatë 2018, sipas të dhënave të tatimeve borxhi është zgjeruar me 20 mln euro ose 18%.
Kujt i përkasin këto detyrime?
-Sipas Tatimeve, pjesa më e madhe i përket enteve publike dhe pushtetit lokal.
-Ndërkohë tek bizneset private janë marrë masa shtrënguese, pasi nëse bizneset nuk paguajnë detyrimet për punonjësit, llogaria e tyre bankare bllokohet.
-Ndërkohë tjetër sistem funksionon te ndërmarrjet shtetërore, pasi aty nuk mund të bllokohen llogaritë bankare. Kjo për shkak të funksionit strategjik që kanë në shërbim të publikut.
Çfarë thonë ekspertë të ISSH për këto detyrime të akumuluara?
-Sipas tyre këto detyrime kanë efekte negative të shumëfishta.
-Dëmi në përfitime në vlerë monetare është shumë më i madh se pagesa e kryer tani.
-Pasojat sociale që u krijohen personave janë të pamatshme.
Në ligjin për procedurat tatimore janë bërë ndryshime që lejojnë pagesën me këste.
“Marrëveshja për pagesë me këste mund të lidhet për detyrime tatimore të vendosura nga administrata tatimore për një vlerësim tatimor të kryer, sipas nenit 68, si dhe për detyrime tatimore të vetëdeklaruara nga tatimpaguesi. Përjashtimisht, administrata tatimore nuk hyn në një marrëveshje të pagesës me këste për detyrim tatimor të vetëdeklaruar nga tatimpaguesi, i cili është llogaritur, ose mbledhur, ose mbajtur prej tij, përfshirë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore” thuhet në ligjin e procedurave tatimore.
Gjendja e detyrimeve tatimore të papaguara në afat arriti në 107.7 miliardë lekë në fund të vitit 2018, nga 95.5 mld lek që ishte në fillim të vitit.