MENU
klinika

Nga Ela Daci

Diaspora kërkon Evropë

08.04.2019 - 18:10

Nisma “Albanians for EU Forum” lindi nga dëshira për të ndihmuar, nëpermjet ndërmjetësimit, në procesin e integrimit me Bashkimin Evropian.

Forumi është krijuar nga një grup të rinjsh të cilët kanë studiuar jashtë Shqipërisë dhe tashmë jetojnë e punojnë në vende të ndryshme të Evropes, duke përfaqësuar një shëmbull pozitiv integrimi. Objektivi i forumit është të informojë shqiptarët mbi Bashkimin Evropian, lidhur me procesin e çeljes së negociatave të antarësimit, si dhe mbi funksionimin e BE-së, duke qartësuar mekanizmin vendimmarrës që udhëheq nje integrim transparent.

Delegacioni i Albanians for EU Forum, kreu një vizitë disa ditore në Bruksel. Dita kryesore ishte 2 prilli 2019, gjatë së cilës Forumi mori pjesë në mbledhjen e Komisionit për Punët e Jashtme, pranë Parlamentit Evropian. Vizita u mundësua falë bashkepunimit me eurodeputetin, z. Knut Fleckenstein dhe stafit te tij. I ftuari kyç i mbledhjes ishte komisioneri Hahn. Gjatë diskutimit mbi politikat e zgjerimit, ai theksoi se Ballkani Perëndimor po bën përparime të dukshme për t’ju afruar BE-së. Komisioneri Hahn tha se për dy vendet kandidate, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, pritet që në qershor 2019 Këshilli Evropian të marrë vendimet përkatse mbi hapjen e negociatave.

Lidhur me Maqedoninë e Veriut, ka shumë gjasa të merret një vendim pozitiv, sidomos pas Marrëveshjes së Prespës me Athinën. Komisioni Evropian – shpjegoi Hahn – është i qëndrimit se, nëse partnerët nga Lindja kanë përmbushur kriteret, atyre u duhet dhënë një dritë jeshile mundësie. Më pas ai shtoi se pjesëtarët e Këshillit nuk duhet te udhëhiqen nga frika dhe mëdyshjet në marrjen e vendimeve.

Grupi i Albanians for EU Forum vijoi takimet me deputetë të partive të ndryshme. Ata u mirpritën fillimisht nga eurodeputetja Tanja Fajon, e cila u komplimentua për punën që forumi po kryen. Znj. Fajon shprehu gjithashtu dëshirën e saj për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Më tej grupi pati një takim të gjatë e miqësor me zv/presidentin e Parlamentit Evropian, z. Fabio Massimo Castaldo. Diskutimi u bazua mbi Ballkanin Perëndimor, gjëndjen e rajonit (veçanërisht në Shqipëri, Bosnjë e Kosovë) ekonominë dhe mbi politikën evropiane. U theksua progresi i Malit të Zi dhe Serbisë në hapat e hedhur drejt BE-së. Z. Castaldo shprehu se Shqipëria është një vend mik që mbart një peshë strategjike për Italinë, por ka ende disa problematika qe influencojnë negativisht procesin e negociatave.

Në fund të ditës u zhvillua një takim me Z.Eduard Kukan i cili e priti me plot entuziazëm nismen e Forumit dhe u tregua tejet i sinqertë në informacionet që shkëmbeu. Z. Kukan ishte shumë kritik me klasën politike shqiptare, duke e cilësuar si të paaftë në aplikimin e rregullave bazike të demokracisë. I kënaqur që po takonte një grup të rinjsh shqiptaro-evropianë, u shpreh plotësisht dakord se përpjekjet që po bën shoqëria shqiptare, jane një urë drejt BE-së. Ne raport me politikën, Zoti Kukan theksoi se shteti Shqiptar duhet të vazhdojë me detyrat e shtëpisë, e më tej të pretendojë hapjen e negociatave. Në takimet me zonjën Fajon dhe zotin Kukan përshtypja që Forumi krijoi ishte se hapja e negociatave të aderimit nuk përbën ende, fatkeqësisht, një siguri.

Në Parlamentin Evropian grupi u takua e dialogoi edhe me plot shqiptarë e shqipfolës të punësuar në institucion, si asistentë parlamentarë e praktikantë. Ata pergëzuan për punën që po bën Forumi dhe konfirmuan dëshirën për një Shqipëri në Evropë. Zgjedhjet për rinovimin e Parlamentit Evropian do të mbahen në 23 – 26 maj. Për herë të parë kemi dy kandidatë shqiptarë për deputetë për këto zgjedhje: z.Amet Gjanaj nga Belgjika dhe znj. Eda Gemi nga Greqia. Do të ishte strategjike për Shqipërinë nëse dy kandidatët do të zgjidhen si eurodeputetë.


Sidoqoftë, mbetet fakti që stabiliteti politik dhe reformat e shumëpritura duhet të materializohen pa humbur kohe në Shqipëri. Pritet që Parlamenti i ri, më masiv në pjesëmarrje nga forcat euroskeptike, të jetë akoma më hermetik mbi politikat e zgjerimit. Nëse qershori nuk do të sjellë dritën jeshile për hapjen e negociatave, Shqipërisë do t’i duhet të presë dhjetorin e ardhshëm, moment në të cilin do të jetë sërisht në axhendën e Keshillit Evropian hapja e negociatave me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa popullsia shqiptare percepton vështirësi ekonomike e shoqërore, shumë sektorë si arsimi dhe shëndetësia janë ende larg standardeve evropiane. Gjuha e përbashkët mes pozitës dhe opozitës duhet të gjendet sa më shpejt, jo vetëm për të mirën e atyre që akoma sot duan të emigrojnë, por edhe për forcimin e nivelit ekonomik nëpërmjet investimeve evropiane. Zoti Kukan u sugjeroi fort anëtarëve të Forumit të jenë prezent me vizionin e tyre pranë politikanëve të vendit, për t’i ndërgjegjësuar mbi benefitet e demokracisë, kompromisit dhe dialogut.

Fatkeqësisht klima aktuale politico-sociale në BE vështirëson integrimin e vendeve si Shqipëria.Vende anëtare si Franca, Hollanda dhe Danimarka kanë rritur nivelin e standardeve për zgjerimin, të trëmbur nga lajmet mbi kriminalitetin në Shqipëri, numrit në rritje të azilkërkuesve dhe peshës së fuqishme brenda tyre të euroskeptikëve. Vitin e kaluar, Gjermania u dakordësua për hapjen e negociatave por tre aleatët skeptikë ende jo. Presidenti francez Makron i mëshon idesë se BE duhet të kryejë fillimisht procesin e reformimit, për të vijuar më tej politicat e zgjerimit.


Benefitet e BE-së janë të mëdha për vende si Shqipëria, veçanerisht ne fushën e arsimit. Programet e edukimit si Erasmus+, i mundësojnë të rinjve të kryejnë një përvojë studimi të përkohëshme jashtë vendi, duke përfituar një ndihme ekonomike lehtësuese nga BE-ja. Lidhjet e BE-Shqipëri janë edhe ekonomike, duke marre parasysh se 66% e tregtisë së Shqipërisë zhvillohet me Bashkimin Evropian. Për më tepër, duhet të konsiderohet se gjysma e të gjitha investimeve të huaja direkte në Shqipëri, vjen nga BE (pothuajse 4 miliardë euro).

Nga statistikat e Eurobarometrit, Shqipëria percepton Bashkimin Evropian në mënyrë pozitive duke qënë se 70% e shqiptarëve ka besim ne BE kurse 55% e tyre ndihen të lidhur me BE-në. Në përfundim të këtyre takimeve Forumi mbeti i goditur pozitivisht nga dialogu i hapur që u mundesua falë kësaj nisme por edhe me shijen e hidhur të një realiteti ende të kundërsht. Grupi i “Albanians for EU Forum” u kthye në vendet përkatëse duke menduar se Shqipëria është ende larg BE-së.

Sidoqoftë, Forumi mbetet i bindur se bashkësia shqiptare e meriton hapjen e negociatave edhe pse politika ende nuk po ia mundëson këtë.