MENU

Penelatat e artistit

Ekspozita e Lin Delisë/ Simpozium për Muzeun e Françeskanëve në Shkodër

15.04.2019 - 21:51

Fillon me veprat e Lin Delisë, mbledhja e fondeve për të ngritur Muzeun e Kulturës Françeskane në Shkodër.

Dje, në Kuvendin Françeskan në Gjuhadol, u mbajt një simpozium për këtë qëllim, ku pikturat e artistit të shquar shkodran, Lin Delija, u kthyen vërtet në shtëpi.

Dita filloi me një sërë relacionesh, të alternuara nga muzika e françeskanëve të mëdhenj, duke filluar nga “Hymni i flamurit” i atë Gjergj Fishtës, me muzikë të Lec Kurtit, tek “Juda Makabe”, shkruar gjithnjë nga atë Fishta, me muzikë të atë Martin Gjokës e tek pjesë të tjera muzikore të Preng Jakovës, të Çesk Zadesë e të Zef Çobës.

Fjalën e mirëseardhjes ua drejtoi të pranishmëve, ministri provincial françeskan, atë Aurel Gjerkaj. Më pas, atë Flavio Kavalini përshkoi historinë e françeskanëve në Shqipëri, ndërsa drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani, bëri një rrëfim muzeor të kontributit kulturor të françeskanëve shqiptarë. I përfundoi relacionet, profesori i filozofisë në Universitetin Urbanian të Romës, Ardian Ndreca, i cili tregoi si e rikrijonte botën në art piktori Lin Delija.

Projekt-ideja e Muzeut të Kulturës Françeskane u paraqit nga arkitekti shkodran, Gjon Radovani, i cili si kryetar i “Art Union Albania”, nënshkroi, së bashku me atë Gjerkajn, kontratën për dhurimin e veprave të mjeshtrit Lin Delija, këtij Muzeu. Pikërisht ekspozita e Lin Delisë është edhe pavioni i tij i parë.

Por Muzeu do të jetë më i madh, prandaj mbrëmë, nisi zyrtarisht mbledhja e fondeve për realizimin e projektit.

Arkitekti Gjon Radovani e Lin Delija

Disa vjet më parë, pikërisht Gjon Radovani çeli një ekspozitë me pikturat e Lin Delisë në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Shihet qartë, në penelatat e artistit, që u detyrua të arratisej nga Shqipëria e ta kalonte jetën në Antrodoko, pranë Romës, përpjekja e ndërlikuar dhe e vuajtur për të ruajtur rrënjët e tij shpirtërore dhe për të kujtuar martirët e lirisë, vrarë për shkak të fesë, por edhe dëshira e zjarrtë për të pasqyruar të bukurën e traditës shkodrane, atë të fesë së krishterë dhe atë të njeriut si të tillë.

Fjala është për 112 vepra në pikturë dhe 38 vizatime, por edhe për zhgunin me të cilin Lin Delija u arratis në vitin 1949, veshjen e fretërve, në kuvendin e të cilëve mori dijet e para për pikturën, para ikjes.

Lin Delija la pas 3500 vepra, që zotërohen sot nga muze e koleksionistë të ndryshëm. Shoqata “Art Union”, e kryesuar nga Gjon Radovani, zotëronte rreth 120 vepra, që tashmë u kalojnë fretërve, ndërsa 30 vepra ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Janë dhuratë nga Erica Schütz, një koleksioniste bavareze dhe Armando Nicoletti, italiani nga Antrodoko, që i qëndroi pranë e u kujdes gjithë jetën për Lin Delinë.

Edhe vetë Provinca Françeskane shqiptare ka 30 vepra, të cilat piktori shkodran ua dorëzoi françeskanëve të Romës, për t’ua dhuruar atyre të Shkodrës, si edhe dy vepra nga koleksionistë privatë./ VatikaniNews