MENU
klinika

Detajet e kontratës

“Epoka Reja”/ Trajneri do të prezantohet nesër

16.04.2019 - 17:08

Tani nuk ka më vend për dyshime dhe të gjithë janë bindur se Edy Reja do të jetë trajneri i ri i Kombëtares shqiptare.

Italiani do të zëvendësojë bashkëkombasin e tij Christian Panucci, me detyrën parësore që të rikthejë Kombëtaren sërisht në formën e saj më të mirë.

Do të jetë vetë Presidenti i FSHF, Armand Duka i cili do të prezantojë italianin të mërkurën në orën 15:00.

Tratativa me trajnerin italian nuk ka qenë aspak e thjeshtë për kreun e Federatës. Do të jetë hera e parë që Reja do të marrë drejtimin e një kombëtareje dhe duket se ky fakt e ka tërhequr jo pak italianin. Interesant ka qenë fakti që gjatë negociatave, Duka i ofroi një kontratë dy vjeçare Reja-s, por ky i fundit e refuzoi ofertën duke pranuar të jetë në provë deri fund viti.

Gjatë kësaj periudhe do të shikohet ecuria e Kombëtares dhe të dyja palët do të kuptojnë nëse do të vazhdojnë edhe më tej.

Edy Reja ka zgjedhur dhe stafin e tij, me Alesando Calorin që do të jetë ndihmësi i tij. 74-vjeçari pritet të përfitojë 25 mijë euro në muaj, por në rast se Kombëtarja do të kualifikohet në Europian, do të ketë dhe një premio prej 200 mijë euro.

Edhe pse nuk është zyrtarizuar ende në krye të kombëtares, Reja ka nisur punën që tani.

Sipas mediave italiane, ai ishte i pranishëm të hënën në mbrëmje në stadiumin “Atleti Azzurri” ku ndoqi live sfidën Atalanta-Empoli, duke ndjekur Frederik Veselin pasi Berisha dhe Gjimshiti ishin në stol.

Eksperienca e pasur e Edy Rejas ka bindur drejtuesit e kombëtares, duke qenë se trajneri ka drejtuar për një kohë të gjatë në kampionatin italian skuadra si Napoli, Lazio apo dhe Atalanta.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN