MENU
klinika

Etika dhe estetika janë një

Wittgenstein-filozofia analitike

26.04.2019 - 11:57

Ludwig Wittgenstein lindi më 26 prill në Vjenë dhe vdiq më 29 prill 1951 në Kembrixh 1951. Ludwig Wittgenstein është një nga figurat më të shquara të filozofisë analitike. Fëmijë e një familjeje të pasur, u arsimua në shtëpi me mësues privat. Adoleshent, zgjodhi profesionin e inxhinierisë. Studioi në Berlin në një shkollë të famshme, më pas, në moshën 20-vjeçare, shkoi në Mançester të Anglisë për të bërë kërkime në aeronautikë. Meqenëse kërkimet në aeronautikë kërkonin njohuri të thella në matematikë, filozofi i ardhshëm u intrigua dhe u hipnotizua nga fuqia dhe eleganca e matematikës, aq sa shumë shpejt iu venit interesi për studimet inxhinierike dhe iu kushtua kërkimit shkencor mbi bazat e matematikës. Kjo ishte edhe pikënisja e tij në karrierën e filozofisë.

Puna e tij në filozofinë e gjuhës apo në themelet e matematikës ngjalli admirimin e Russellit dhe të Rrethit  të Vjenës. Pasi shkroi “Traktati logjiko-filozofik”, u shkëput një periudhë kohore për të rifiluar me shkrimin e hetimeve filozofike. Në parathënien e “Traktati logjiko-filozofik”, i vetmi libër i publikuar në të gjallë të tij, shkruante: “Domethënia e librit mund të përmblidhet në njëfarë mënyre me këto fjalë: Gjithçka që në të vërtetë mund të thuhet duhet të thuhet në mënyrë të qartë dhe, për atë që nuk mund të flasim, duhet të heshtim”. Edhe pse njeriu i një libri të vetëm, ai i mahniti bashkëkohësit më shumë nga gjenia, sesa nga pështjellimet e jetës. Thënia u bë e famshme, ndoshta më shumë për sjelljen poetike, sesa për filozofinë.

 

 

“Qëllimi i filozofisë është qartësimi logjik i mendimeve. Filozofia nuk është një teori, por një aktivitet. Një vepër filozofike përbëhet kryesisht nga sqarime, sqarime që synojnë të mos shpërndajnë gabime, por të nënvizojnë mungesën e pakrahasueshme të kuptimit të disa shprehive”, ­- shkruan Wittgenstein në Traktatin e tij.

Karakteri i Ludwig Wittgenstein i takon një zhanri të veçantë, atij të mendimtarit të vetmuar, i shkëputur nga bota, jeta e të cilit, ashtu si mendimi, magjepsi bashkëkohësit e tij. Një jetë që fillon në Vjenë më 1889, kur kryeqyteti austriak bashkon gjithë elitën intelektuale evropiane, nga Robert Musil tek Zhozef Shumpeter, nga Gustav Malher tek Sigmund Frojdi, nga Xhorxh Lukas tek Karl Kraus.

Gjatë shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, Ludwig u kthye për t’u bashkuar me ushtrinë austriake. Në 1916, ai u nderua për trimërinë e tij. Megjithatë, në vitin 1918, ai u zu rob dhe u burgos në Itali. Pikërisht gjatë këtyre viteve shkroi “Traktatin”, një punë në logjikë, të cilën ia dërgoi Russell-it, ndërsa vijonte të ishte i  burgosur në Itali. Russell e publikoi këtë draft, i cili mbeti libri i vetëm i botuar në jetën e filozofit.

Personaliteti i tij karizmatik, përveç të tjerave, ushtoi një magjepsje të fuqishme tek artistët, dramaturgët, poetët, romancierët, muzikantët, madje edhe regjisorët, duke bërë që fama e tij të kapërcente kufijtë e jetës akademike.

 

 

“Nëse ajo që është e fshehur dhe nuk na intereson, atëherë shmangim studimet e mundshme që kanë të bëjnë me pamjen e padukshme, ku hyjnë: natyra si e drejtë natyrore, vullneti i Zotit, krijimi i universit. Ky mosinteresim për të njohur botën e shndërron sistemin kontemplativ të të menduarit tonë në mosnjohje të sendit dhe substancës. Edhe e panjohura, edhe e padukshmja janë, pra ekzistojnë, por varet sa vullnet kemi ne ta shqyrtojmë dhe kuptojmë të vërtetën e gjësendit të fshehur. Edhe vdekja është e padukshme, por ndodh si pajtim i vullnetit të Zotit. Edhe shpirti është i padukshëm, por ekziston. Edhe Zoti është i padukshëm, por ekziston. Në botë, asgjë nuk është e padukshme, pos asaj që është jashtë perceptimeve dhe reflekseve tona, por fundja dhe këto të fundit që janë jashtë mendjes sonë gjejnë aplikim të duhur”.

Ashtu si gjithçka metafizike, edhe harmonia mes mendimit e realitetit duhet të gjendet në gramatikën e gjuhës.

“Është kufizimi i imponuar në veprimtarinë filozofike, e cila është karakteristikë e filozofisë së Wittgensteinit, që filozofët bashkëkohorë kanë më së shumti vështirësi në pranimin. Gjatë udhëtimit të tij filozofik, Wittgenstein mbeti i bindur se problemet filozofike rezultojnë nga një keqkuptim i logjikës së gjuhës sonë dhe duhet të zgjidhen ose, më saktë, të eliminohen jo nga shpjegime shkencore apo pseudo-shkencore, por me një përshkrim të saktë të kësaj logjike”, vëren studiuesi Richardson.  

 

Siç jemi gjatë jetës të rrethuar nga vdekja, ashtu edhe në shëndetin e intelektit jemi të rrethuar nga çmenduria.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN