MENU

Balluku inspekton punimet

Fier/ Ndërtimi i By Pass-it përfundon para verës

04.04.2019 - 17:20

Ndërtimi i By Pass-it të Fierit do të përfundojë përpara sezonit turistik veror.

Drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, deklaroi se punimet janë duke vijuar sipas grafikut të miratuar nga ARRSH.

“Kompania po punon nën grafikun e miratuar nga ARRSH dhe jemi duke monitoruar çdo ditë punimet e kryera nga kontraktori”, tha Qato ndër të tjera.

Aktualisht po punohet për ndërtimin e tri urave, asaj të Hoxharës, Semanit dhe Pojanit, në dy prej të cilave pritet që brenda muajit prill të vendosen strukturat metalike.

“Në 10 prill do të hedhim konstruksionin metalik të urës së Semanit dhe në datën 22 prill, sipas grafikut të miratuar edhe nga supervizori, do të hedhim urën e Hoxharës. Janë ura të prodhuara në Itali, të ardhura, aktualisht janë gjendje stoku në kantier, dhe po montohen trarët në tokë fillimisht”, u shpreh inxhinieri i kompanisë që po kryen punimet.

Hapja e një prej korsive do të bëjë të mundur shmangien e trafikut që krijohej gjatë sezonit turistik. Rreth 240 punonjës, janë angazhuar nga kompania për përfundimin në kohë të punimeve ndërsa ato vijojnë edhe gjatë natës.

Ministrja Belina Balluku vlerësoi ecurinë e punimeve dhe kërkoi nga kompania që të ruajë këtë ritëm të punës për të bërë të mundur realizimin në kohë të objektivit për sezonin veror.

“Është e rëndësishme, që ne t’i qëndrojmë premtimit që kemi bërë. Deri në 30 qershor kjo rrugë të jetë e hapur për mjetet e tonazhit të lehtë, pra që janë autobusët dhe automjetet e vogla. Nuk do jetë e hapur për kamionët dhe në 30 qershor premtimi do të mbahet”, u shpreh Balluku.

Ndërtimi i By Pass-it të Fierit do të shkurtojë ndjeshëm distancën mes jugut të vendit dhe kryeqytetit.