Pak orë pasi ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka lajmëroi marrjen e aeroportit të Rinasit në kontroll nga Forcat e Armatosura ka nisur vënia në jetë e këtij vendimi.
Makinat e Policisë Ushtarake janë parë të hyjnë në Komandën Ajrore të Forcave të Armatosura, që ndodhet pranë Rinasit. Policia Ushtarake do të marrë kontrollin në perimetrin e jashtëm të aeroportit Kombëtar “Nënë Tereza” në Rinas.
Efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcavetë Armatosura do të jenë në perimetrin e sigurisë së aeroportit.
Xhaçka tha se kjo është një praktikë, që zbatohet sot në thuajse çdo kryeqytet europian, ku njësi të Forcave të Armatosura vendosen në mbështetje të kolegëve të tyre të Policisë, me qëllim, garantimin e sigurisë së objekteve të rëndësisë së veçantë dhe mbi të gjitha, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve.
“Po ashtu, duke qenë që në një distancë fare të shkurtër nga Aeroporti i Rinasit ndodhet e vendosur edhe Komanda Ajrore e Forcave të Armatosura, kam urdhëruar që edhe Policia Ushtarake të dislokohet në këtë komandë, duke ju bashkuar kështu Policisë së Shtetit”, u shpreh sot ministrja e Mbrojtjes.
Por plani për lëvizjen e Policisë Ushtarake drejt Rinasit ka qenë i mëparshëm dhe duket se grabitja e djeshme i ka dhënë vetëm një shtysë.
Ky vendim vjen një ditë pas grabitjes së 10 milionë eurove brenda aeroportit, nga një avion gati në nisje.