MENU
klinika

Çezari njeh vetëm triumfin

Gjeniu i muzikës shkëlqen ‘në vend të vet’

24.04.2019 - 11:58

Me violinën, talentin e pasionin për muzikën, Olen Çezari, muzikanti virtuoz shqiptar, ka vënë gurin e vet mbi themelin e artit mbarëbotëror dhe patjetër, edhe atij të vendit të origjinës. Ka njohur shumë skena të huaja dhe shumë njerëz, që e kanë duartrokitur me gjithë kënaqësinë që u ka dhuruar interpretimi i tij. Por, tjetër është dashuria e njerëzve dhe vendit të origjinës.

 

 

 

Kësaj here ishte pallati i Kongreseve, stacioni i radhës. Me shoqërinë e gjashtë artistëve të tjerë të njohur, siç janë: Alessandro Mannarino, instrumentisti nga Kina, Guo Gan, bateristi Pepe Sanchez, i riu i talentuar italo-shqiptar Eden, i cili prej dy muajsh bllokoi Sanremon e të rinjve, artisti Shama Milan nga Kuba, këngëtarja e vetme italiane, e cila po ashtu është e specializuar për të kënduar këngë shqiptare, Lavinia Mancusi, si edhe humoristi Bes Kallaku, mbrëmja e djeshme pati shumë entiziazëm.

 

 

 

 

Vlerësuar nga kritika si gjeniu i muzikës, Çezari e mbajti skenën bashkë me grupin e tij “Ndërkombëtarët klandestinë”. Ata, prej dhjetë vjetësh interpretojnë nga njëri skaj në tjetrin, nëpër botë, meloditë prekësë apo të gëzuara të vendeve që vizitojnë si artistë.

 

 

 

 

Mbrëmja me moderimin e vetë artistit, nisi më pas me një tango, që solli në skenë balerinën e parë të Teatrit të Operës, Ledia Sulaj. Ndërsa më pas, për herë të parë para publikut shqiptar, Çezari interpretoi një nga pjesët e projektit të radhës për shtatë mrekullitë e botës, kësaj here udhëtuam bashkë me të në Murin e madh kinez.

 

 

 

Ai nuk mund të mos interpretonte për publikun e tij, një prej emocioneve të pashlyeshme që ka përjetuar me instrumentin e tij, teksa interpretonte “Ave Maria” në supin e statujës së Krishtit, në Rio De Zhanero. E përcolli me të njëjtin talent dhe emocion këtë pjesë të zgjedhur të repertorit të tij edhe në skenën shqiptare, pasi për Olenin, mbetet ndër më të rrallët e të pabesueshmit koncerte.

 

 

 

Koncerti i virtuozit të violinës nuk mund të rrinte pa sjellë për publikun, muzikën e tij të preferuar, që mban emrin Çarli Çaplin. Për të, Çaplini, është një artist shumëdimensional, poliedrik në aktrim edhe muzikë. Për tri orë radhazi, publiku i Tiranës ‘udhëtoi’ nga muzika braziliane, tek ajo izraelite dhe ruse, pa harruar muzikën shqiptare, për ta mbyllur mbrëmjen me këngën e njohur italiane “Volare”.