MENU
klinika

Takimi prej 90-minutash

Goditja e krimit/ Lleshaj ultimatume të forta Policisë

12.04.2019 - 20:38

Ka zgjatur 90 minuta takimi i Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu me Prefektin e Qarkut Elbasan, Gledian Llatja, Drejtuesen e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Enkeleida Millonai, Kreun e SHISH Elbasan, Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Arjan Muça dhe përfaqësues të tjerë të organeve ligjzbatuese.

Në takimin e zhvilluar mes tyre është diskutuar me shqetësim dhe përgjegjësi rreth situatës aktuale të rendit dhe qetësisë publike në Qarkun e Elbasanit si dhe për marrjen e masave të menjëhershme për t’u dhënë goditjen fatale të gjitha organizatave kriminale si dhe të gjitha figurave të krimit që veprojnë në territor.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj sipas burimeve konfindenciale ka kërkuar nga Drejtuesi i sapoemëruar i Drejtorisë Vendore të Policisë së Elbasanit që trupa profesioniste që ai ka në dispozicion të inkurajohet për të qenë në lartësinë maksimale në kryerjen e detyrës. Policia e Shtetit ka deklaruar se do të shkatërrojë pamëshirë aktivitetin e të gjithë grupeve kriminale në çdo cep të Shqipërisë duke i dhënë fund të gjitha spekulimeve se krimi ka mbështetje politike.

sander lleshaj-konica.al
sander lleshaj-konica.al

Pavarësisht ngjarjeve të rënda të ndodhura në Elbasan dhe gjetkë policia është duke punuar dhe rezultatet jo vetëm që nuk do të mungojnë, por do të jenë spektakolare.

Me qytetin e Elbasanit janë të lidhura mjaft fije të organizatave kriminale në Shqipëri të cilat janë identifikuar dhe që ju është dokumentuar aktiviteti i tyre i paligjshëm. Forca e ligjit do t’i godasë organizatat kriminale njëra pas tjetrës duke i dërguar para Drejtësisë.

Në përfundim të takimit mes Lleshajt, Veliut, Prefektit të Elbasanit dhe përfaqësuesve kryesorë të organeve ligjzbatuese është arritur në përfundimin se puna e të gjithëve do t’i shërbejë rritjes së parametrave të sigurisë së jetës së qytetarëve si dhe rritjes së zbulueshmërisë dhe goditjeve të forta ndaj krimit dhe kriminelëve.