MENU
klinika

Reagimi

Grabitja në Rinas/ Balluku: Shteti do të flasë qartë

09.04.2019 - 20:48

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku reagoi në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Aeroportin e Rinasit.

Nga Berlini ku gjendet për një vizitë zyrtare, Balluku u shpreh se shteti do të veprojë me të gjithë fuqinë e detyrimit për të garantuar sigurinë dhe funksionimin normal të aeroportit.

“Kjo është një ngjarje shumë e rëndë dhe e përsëritur për fat të keq. Të gjitha përpjekjet e autoriteteve shtetërore për t’i imponuar kompanisë kineze, që mban në koncesion Aeroportin e Rinasit, investimet e nevojshme në sistemin e sigurisë, nuk janë dëgjuar ashtu si duhet.

Sistemi i sigurisë ka rënë përsëri dhe përsëri grabitësit kanë mundur të hyjnë deri në pistë, duke provuar se në këto kushte aeroporti është i kërcënuar lehtësisht, deri edhe nga akte më të rënda se kaq.

Ky është një alarm, që këtë herë s’duhet të kalojë dhe s’do të kalojë, vetëm me nxjerrjen para drejtësisë të personave përgjegjës nga radhët e teknikëve dhe punëtorëve të TIA për sigurinë. Këtë herë shteti duhet dhe do të thotë shumë shpejt një fjalë më shumë.

Fakti që aeroporti njësoj si të gjithë aeroportet në Evropë, nuk mbrohet e as garantohet në sigurinë e vet nga Policia e Shtetit, po nga sistemi i sigurisë së vetë kompanisë, nuk do të thotë aspak se ne duhet e do të rrimë me duart të lidhura. Aspak. Shteti do të flasë qartë dhe do të veprojë me të gjithë fuqinë e detyrimit për të garantuar sigurinë dhe funksionimin normal të aeroportit të vetëm ndërkombëtar të vendit” u shpreh Balluku.