IKMT po zhvillon një aksion në Fushë-Krujë për prishjen e furrave të gëlqerës. Aksioni i IKMT mbështetet nga Inspektoriati i Mjedisit.
Sipas të dhënve të para, deri më tani janë prishur të paktën 4 furra gëlqereje në këtë qytet. Më herët policia ka arrestuar persona të lidhur me prodhimin e gëlqerës, të cilët akuzoheshin për ndotje të mjedisit.
Të paktën 33 furra të paligjshme gëlqeresh u mbyllën vetëm gjatë vitit të kaluar. Ministri Blendi Klosi paralajmëroi se forca e ligjit do të jetë e ashpër për këdo që tenton ta shkelë atë.
“Sot jemi për të shkatërruar këtë furrë, por nëse do të tentojnë të rihapet do të ketë ndëshkime të ashpra”, tha Klosi.
Duke konstatuar nga afër mbetjet e makinave dhe fabrikave të fasoneve që përdoreshin për djegie, ministri tha se në këtë gropë bëhen bashkë disa krime mjedisore të cilat duhen goditur që në gjenezën e tyre.
Kreu i Turizmit dhe Mjedisit i ka bërë apel qytetarëve që të vijojnë bashkëpunimin e tyre me qeverinë duke denoncuar çdo krim mjedisor në portalin e bashkëqeverisjes, pasi ajo që po ndodh është një krim për jetën e vetë banorëve dhe fëmijëve të tyre.