Policia e Shtetit informon se ka arrestuar një 58-vjeçar në Tiranë, pasi kërkohej nga drejtësia italiane.
Sipas policisë, 58-vjeçari kërkohej nga Interpoli, për shkak të dyshimit se ishte pjesë e një organizate kriminale që merrej me trafik kokaine nga Holanda në Itali.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar
Kapet dhe arrestohet përkohësisht një shtetas shqiptar me qëllim ekstradimi drejt Italisë.
Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga Sektori i Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në D.V.P. Tiranë, në bashkëpunim me Interpol Tirana, u kap dhe u arrestua përkohësisht shtetasi shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar: M. Xh., 58 vjeç, banues në Tiranë.
Gjykata e Napolit/Itali ka vendosur ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 74 i ligjit 309/1990 dhe Nenet 3, 4 të ligjit 146/2006 të Kodit Penal Italian.
Gjatë vitit 2016 dyshohet se ky shtetas ishte pjesë në një organizate kriminale, e cila merrej me trafikimin e lëndëve narkotike të llojit kokainë dhe heroinë nga Holanda drejt Italisë
Veprimet e mëtejshme për ekstradimin e këtij shtetasi do të kryhen nga ZQK Interpol Tirana.