MENU
klinika

Trafiku i drogës

Jepet pretenca për Klement Balilin/ Prokuroria: 12 vite burg

08.04.2019 - 14:58

Pas dështimit në tre seancave gjyqësore, prokurori Ened Nakuci dha sot pretencën për Klement Balilin. Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dënimin e tij me 18 vite burg dhe duke pranuar gjykimin e shkurtuar, dënimin përfundimtar me 12 vjet burg.

Ish-zyrtari i lartë akuzohet për trafik narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, fshehje të pasurisë dhe pastrim të parave.

Si prova fajësie u renditen përgjimet telefonike të realizuara nga autoritetet greke në kuadër të një hetimi që po kryhej atje për një organizatë kriminale që trafikonte hashash e kokainë.

Nëse gjykata do të vendosë të shpallë fajtor Balilin dhe të pranojë pretencën e prokurorisë, ai përfiton edhe nga gjykimi i shkurtuar, duke u dënuar me 12 vite burg.

Sipas Prokurorisë, gjatë hetimit nga homologët grekë është identifikuar një person me emrin Keli, që më vonë ka rezultuar se ishte Kelmend Balili.

Ky i fundit sipas institucionit të akuzës, ka patur rolin e organizatorit në trafikimin e një sasie prej rreth 600 kg hashash nga Shqipëria drejt Greqisë, atje ku edhe u arrestuan dy shtetas shqiptarë.

Në kërkesën për gjykim binte në sy fakti, se Balili ishte kallëzuar nga ILDKPI për fshehje pasurie, disa muaj pasi ishte shpallur në kërkim.

Kelmend Balili jetoi për dy vite në arrati për t’u vetëdorëzuar vetëm disa javë më parë, kur dosja penale e tij u dërgua për gjykim. Ai mohon të jetë përfshirë në veprimtari kriminale dhe këmbëngul për pafajësi.