MENU

Thirrje kundër Shqipërisë

Kacifas bëhet ‘hero’ në Boston

08.04.2019 - 19:04

Komuniteti grek në Amerikë festoi përvjetorin e pavarësisë, por ajo që bie në sy është fakti se gjatë saj ka patur thirrje ultranacionaliste kundër Shqipërisë.

Gjatë festimeve, ekstremisti grek, Kostandinos Kacifas, është lartësuar në trajtën e një heroi. Parada e organizuar u karakterizua nga retorika ekstreme, ku shpaloseshin qartësisht pretendime territoriale të cilat nuk respektojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Shqipërisë.

Gjatë paradës së organizuar në nder të Përvjetorit të Pavarësisë, portreti i tij është mbajtur në duar, teksa nuk munguan as thirrjet që lartësonin figurën e tij.

Ditën e dielë, grekët të mbledhur në kryeqytetin e Masacusets, përkujtuan kryengritjen helene kundër osmanëve.

Gjatë gjithë aktivitetit, u vërejtën thirrje dhe banderola me përmbajtje shoviniste dhe ultra-nacionaliste që shigjetonin kryesisht Shqipërinë.

“Për 105 vite Shqipëria ka thyer Akordin e Protokollit të Korfuzit. Vorio Epiri është ende duke vuajtur.”, lexohet në një nga mbishkrimet.

Ajo që është për t’u shqetësuar konsiston tek fakti se në rradhët e organizatorëve të paradës përfshiheshin Konsullata e Përgjithshme e Greqisë, Federata Heleno-Amerikane e Nju Ingland dhe Metropoliti Grek Ortodoks i Bostonit.

Duke patur parasysh se Konsullata është një institucion zyrtar që përfaqëson Athinën, thirrjet me prapavijë nacionaliste mund të konsiderohen të papranueshme, duke qënë se përmbajnë mesazhe që kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Shqipërisë.