Këshilli i Ministrave ka vendosur ditën e sotme (17 prill 2019) miratimin e vendimit për kategoritë e shërbimeve të ofruara nga entet shtetërore dhe subjekte të tjera, të cilat përfitohen me çmime të reduktuara përmes përdorimit të kartës së studentit.
Në VKM-në e miratuar janë cilësuar sferat ku studentët do të përfitojnë lehtësira pas përfitimit të kartës së studentit dhe prezantimit të saj si dokument unik.
Në VKM gjitashtu sqarohet kush do t’i mbulojë shpenzimet, për reduktimin e çmimeve. Citohet se çmimet e reduktuara do të mbulohen nga ministritë përgjegjëse ku studentët kanë përfituar një shërbim.
Më poshtë lexoni vendimin e plotë të Këshillit të Ministrave:
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 17 Prill 2019:
V E N D I M
PËR
KATEGORITË E SHËRBIMEVE TË OFRUARA NGA ENTET SHTETËRORE DHE SUBJEKTE TË TJERA, TË CILAT PËRFITOHEN ME ÇMIME TË REDUKTUARA PËRMES PËRDORIMIT TË KARTËS SË STUDENTIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 100, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shërbimet që ofrohen nga entet shtetërore në fushën e artit dhe të kulturës, të shëndetësisë dhe të mbrojtjes sociale, arsimit, sportit dhe rinisë, transportit, turizmit dhe mjedisit, ekonomisë, financave, punësimit dhe trajnimit dhe ato të mbrojtjes përfitohen nga studentët me çmime të reduktuara përmes përdorimit të kartës së studentit, si një dokument unik i çdo studenti.
2. Ministrat, sipas fushës së përgjegjësisë përkatëse, miratojnë, me urdhër të përbashkët me ministrinë përgjegjëse për arsimin, listën e shërbimeve të ofruara me çmime të reduktuara për studentët. Në urdhrin e përbashkët përcaktohen çmimet e reduktuara për shërbimet që do të ofrohen. Efektet financiare nga reduktimi i çmimeve përballohen nga buxheti i secilës ministri, ofruese e shërbimit për studentët, sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore.
3. Përfituesit e kartës së studentit përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara edhe nga subjekte të tjera publike apo private, që kanë objekt të fushës së veprimtarisë së tyre shërbime për studentët, në bazë të marrëveshjeve përkatëse, pa efekte financiare për buxhetin e shtetit, të nënshkruara me ministrinë përgjegjëse për arsimin.
4. Në nivel vendor, marrëveshjet për ofrimin e shërbimeve me çmime të reduktuara për përfituesit e kartës së studentit nënshkruhen ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin. Efektet financiare nga reduktimi i çmimeve përballohen nga buxhetet e njësive të vetëqeverisjes vendore.
5. Njësitë e vetëqeverisjes vendore nënshkruajnë marrëveshje me subjekte të tjera publike dhe private për ofrimin e shërbimeve me çmime të reduktuara për përfituesit e kartës së studentit.
6. Çdo institucion i arsimit të lartë mund të nënshkruajë marrëveshje, pa efekte financiare, me subjekte publike apo private, për ofrimin e shërbimeve të ndryshme, në nivel qendror apo vendor, me çmime të reduktuara për përfituesit e kartës së studentit.
7. Marrëveshjet e lidhura nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe institucionet e arsimit të lartë marrin miratimin paraprak në ministrinë përgjegjëse për arsimin. Ministria përgjegjëse për arsimin konfirmon miratimin brenda 10 (dhjetë) ditëve punë nga njoftimi i marrëveshjes. Në rast se konfirmimi nuk paraqitet brenda 10 (dhjetë) ditëve punë, miratimi konsiderohet i dhënë.
8. Përfituesit e kartës së studentit përfitojnë të gjitha shërbimet e ofruara sipas përcaktimeve të këtij vendimi nëpërmjet paraqitjes së kartës së studentit si dokument unik. Shërbimet e ofruara, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, bëhen publike nga të gjitha institucionet qendrore e vendore, si dhe nga subjektet publike e private në faqet e tyre zyrtare, ndërsa ministria përgjegjëse për arsimin publikon të gjitha shërbimet e siguruara me çmime të reduktuara për përfituesit e kartës së studentit.
9. Karta e studentit mund të bëhet pjesë e projekteve ndërkombëtare përmes marrëveshjeve që lidhen nga ministria përgjegjëse për arsimin. Kjo pjesëmarrje mundëson që shërbimet e ofruara nga këto projekte të përfitohen nga të gjithë përfituesit e kartës së studentit në shtetet anëtare të projektit apo të marrëveshjeve ndërkombëtare. Efektet financiare të pjesëmarrjes në projektet ndërkombëtare përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për arsimin.
10. Shpenzimet për prodhimin dhe administrimin e kartës së studentit do të përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për arsimin. Efektet financiare nga reduktimi i çmimeve përballohen nga buxheti i ministrive sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore.
11. Në rast se njësitë e vetëqeverisjes vendore paraqesin kërkesë për prodhimin dhe administrimin e kartës së studentit, ministria përgjegjëse për arsimin nënshkruan një marrëveshje dypalëshe me këto njësi për delegimin e këtyre përgjegjësive e kompetencave. Në këtë rast, shpenzimet do të përballohen nga buxheti i këtyre njësive.
12. Qendra e Shërbimeve Arsimore konfirmon, për çdo vit akademik, studentët e regjistruar në vitin përkatës akademik, për çdo institucion të arsimit të lartë, pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe pranë njësive të vetëqeverisjes vendore, në rastin e delegimit të prodhimit dhe të administrimit të kartës së studentit.
13. Ngarkohen ministritë sipas fushave të tyre të përgjegjësisë, Qendra e Shërbimeve Arsimore, njësitë e vetëqeverisjes vendore, entet shtetërore, si dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE